2016-06-05 08:30:00

U përurua dhe u bekua Galeria Hekurudhore e Shën Gotardit


Më 1 qershor, në Zvicër, me një ceremoni ndërfetare, u përurua dhe u bekua Galeria Hekurudhore e Shën Gotardit. Është fjala për strukturën më të gjatë në botë, një tunel prej 57 km. Vepra, dëshmi e një teknike të jashtëzakonshme inxhinjerie, do ta ripërkufizojë hartën e transporteve në Evropë e do të ketë një rol tejet të rëndësishëm për trafikun veri-jug në kontinent. Liderët evropianë të pranishëm e përuruan tunelin si udhëtarë të trenit “Gotard 2016”, pavarësisht se linja do të funksionojë plotësisht vetëm duke u nisur nga vjeshta e këtij viti. Në përfaqësi të tri feve të mëdha monoteiste, morën pjesë dhe bekuan tunelin, rabini i Zyrihut, prifti katolik Martin Werlen i Einsiedeln dhe imami mysliman Bekim Alimi nga Wil, shqiptar që shërben në Zvicër. Ishin të ftuar edhe përfaqësues nga grupi, që deklarohet “pa përkatësi fetare”, i cili përbën një të katërtën e popullsisë helvetike.








All the contents on this site are copyrighted ©.