2016-06-05 14:38:00

Papa: Shenjtërit Stanislao e Maria Elizabeta: dëshmitarë të ringjalljes


“Jezusi kërkon për vete vdekjen tonë, për të na çliruar e për të na dhënë përsëri jetë”. Kështu Papa gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit për Shenjtërimin e të Lumit polak Stanislao i Jezu Marisë, themelues i Klerikëve marianë të Zojës së Papërlyer dhe të së Lumes suedeze, Maria Elisabetta Hesselblad, themeluese e Urdhërit të të Shenjtnueshmit Shëlbues të Shën Brigjidës. Të pranishëm në kremtim, presidenti polak, Andrzej Duda dhe ministrja suedeze e kulturës, Alice Bah Kuhnke.

Hyri me procesion, Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë. E shoqëruan 40 kardinaj, ndërmjet të cilëve, Stanislao Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovit dhe 30 prelatë, ndërmjet të cilëve edhe Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit, së bashku me ipeshkvin luteran të Upsalës, Antje Jackelen.

I frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, Françesku u ndalua posaçërisht tek ngjarja qendrore e fesë: “Fitorja e Zotit mbi dhembjen e mbi vdekjen”: “Është një fjalë, e cila na bën thirrje për të mbetur të lidhur fort me Mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit, që të duket në ne pushteti i ngjalljes së Tij”.

Më pas Papa shpjegoi: “… në Mundimet e Krishtit është përgjigjja, që i jep Zoti britmës së ankthshme, e nganjëherë edhe të zemëruar,  që  shpërthen nga shpirti ynë përballë dhembjes e vdekjes. Ky, Kryqi, nga i cili nuk duhet të ikim. Duhet të rrimë aty, siç bëri Virgjëra Nënë, që duke vuajtur bashkë me Jezusin, pati marrë hirin të shpresojë në kundërshtim me çdo shpresë”.

Në Shenjtorët e rinj  u duk pushteti i Ngjalljes së Krishtit

E kjo - vijoi Papa - ishte edhe përvoja e Shenjtit Stanislao i Jezu Marisë dhe e Maria Elisabetta Hesselblad, shpallur Shenjtorë: “Mbetën të lidhur ngushtë me Mundimet e Krishtit; e në ta, u duk pushteti i Ngjalljes së Tij”.

Maria Elisabetta Hesselblad, suedeze, lindur në vitin 1870 nga familje luterane, emigruar që në moshën 18 vjeçare në SHBA-të, e sëmurë një herë, e shëruar më pas, iu kushtua mjekimit të të sëmurëve në Nju Jork, ku u thellua në fenë katolike, për të marrë pastaj edhe Pagëzimin. Një vit më vonë, më 1903, ishte në Romë. E këtu, si vizitoi Shtëpinë e Shën Brigjidës, themeloi Urdhërin e motrave, njohur me emrin “Brigjidine”. Gjatë Luftës II Botërore ndihmoi pa kursim hebrenjtë më të persekutuar e më të varfër. Vdiq në Romë  më 1957 e u Lumnua në vitin 2000.

Stanislao i Jezu Marisë, në shekull Jan Papczynski, polak, i lindur më 1631, meshtar në moshën 30 vjeçe, u largua pas nëntë vjetësh jete rregulltare pranë vëllezërve skolopë, për të themeluar një institut të ri  Klerikësh marianë, atë të të Zënit pa Mëkat të së Lumes Virgjër Mari, 200 vjet para shpalljes së Dogmës. Instituti i ri iu kushtua kryesisht predikimit të fesë pranë njerëzve të varfër dhe lutjes për shpirtrat e të vdekurve, sidomos për të gjithë ata,  të cilëve vdekja u troket në portë, duke i gjetur të papërgatitur. I vdekur më 1701, u lumnua më 2007.

Jezusi merr mbi vete mëkatet tona e na kthen të gjallë në gjirin e Kishës

Duke kujtuar Leximet e ditës kushtuar dy ngjalljeve të mrekullueshme  të dy të rinjve, bij vejushash, Papa shpjegoi se Jezusi e kërkon për vete vdekjen tonë, për të na çliruar e për të na dhënë jetë. Edhe me mëkatarët, një për një, nuk pushon duke bërë të shndrisë fitorja e hiri, që jep jetë: “I thotë Kishës Nënë: ‘M’i jep bijtë e tu, që jemi ne të gjithë’. Ai i merr mbi vete mëkatet tona, i merr e na kthen përsëri të gjallë në gjirin e Kishës. E kjo ndodh posaçërisht në këtë Vit Shenjt të Mëshirës. Kisha sot na tregon dy nga bijtë e saj, dëshmitarë shembullorë të këtij misteri të ngjalljes”.

Pas Meshës, e para kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti autoritetet polake e suedeze: “Zoti, me ndërmjetësinë e dy Shenjtorëve të rinj, i bekoftë Kombet tuaja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.