Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir, nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror evropian i Karlit të Madh. Bonifaci ose Winfridi duket se i përkiste një familjeje fisnike angleze të Devonshirit, ku edhe lindi rreth vitit të largët 673. Data nuk është e sigurt, sepse disa nga studiuesit e jetës së tij shënojnë si datëlindje vitin 680.
Para se të niste veprën e lumnueshme të ungjillëzimit të popullsive gjermanike
të përtej lumit Ren, praktikoi rregullin murgar në abacinë e Exeter-it e të Nursling-ut.
Si kapërceu vështirësitë e para, ia doli mbanësh ta përshkonte gjithë territorin gjerman
vetëm për tri vjet. Pas kësaj veprimtarie të ethshme, duke pasur parasysh vështirësitë
e kohës, u thirr në Romë nga Papa, u shugurua ipeshkëv dhe mori emrin e ri Bonifac.
Para se ta organizonte Kishën në bregun e djathtë të Renit, mendoi të themelonte,
ndërmjet zonës së Hessen-it e të Turingjisë, një abaci, që u bë qendër me rëndësi
të dorës së parë e përshpirtërisë dhe e kulturës fetare në Gjermani. Lindi kështu
abacia e famshme e Fuldës. Si seli ipeshkëvnore zgjodhi qytetin e Maincit.
Pak vjet më parë, kur në Fuldë të Gjermanisë u kremtua 1250 vjetori i vdekjes së Shën
Bonifacit, Papa Shën Gjon Pali II u pati drejtuar gjermanëve një Mesazh, përmes të
cilit i inkurajonte të ndjekin shembullin e këtij njeriu me besim të patundur, të
këtij rregulltari me fe të gjallë ndërmjet vështirësive të panumërta, të këtij ipeshkvi,
që dha jetën për e duke predikuar fjalën e Ungjillit.
Figurë e ndritur dhe e dashur për Kishën katolike gjermane, Shën Bonifaci u përkujtua
me kremtime madhështore në Fuldë, ku është varrosur sipas dëshirës së tij, pasi u
mbyt nga paganët në vitin 754, në moshën 80 vjeçare. E martirizuan sepse shqetësonte
shumëkënd me shenjtërinë e misionin e tij, sepse as lodhja, as mosha e as kërcënimet
nuk e patën përkulur, por pati mbetur predikatar i zjarrtë e i palodhur i fjalës së
Krishtit, shembull i ndritur për Kishën katolike gjermane e universale. Kuvendi i
Shën Bonifacit në Fuldë ka qenë në shekuj edhe fidanishte për edukimin e fretërve
të rinj françeskanë, ndërmjet të cilëve dhe shqiptarë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |