2016-06-03 10:50:00

"Viti Shenjt i Mëshirës”. Urdhërimi më i rëndësishëm


Jetuam, në emisionin e kaluar, skenën dramatike të Samaritanit të mirë, ashtu siç e tregon vetë Krishti në Ungjill, për të kaluar, në emsionin e 41-të tek njohja e Urdhërimit më të rëndësishëm ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. E për ta kuptuar këtë, duhet të kthehemi pas në kohë e të jetojmë disa çaste në Palestinën e kohës Jezusit e të hyjmë në diskutimin e ndezur të kohës për çështjet më të rëndësishme që kishin të bëjnë me Ligjin e Moisiut, posaçërisht me Urdhërimin për ta dashur të afërmin si vetveten.

Po kush ishte ky i afërm, që duhej dashur?

Shumëzimi i ligjeve e bënte të nevojshme përmledhjen e Ligjit kryesor. Nga ana tjetër e kandarit,  tensionet politike ndërmjet grupeve të ndryshme, duke përfshirë edhe samaritanët, kërkonin të përcaktohej cili ishte i afërmi për t’u dashur. Ishte vetëm ai, që i përkiste grupit fetar, apo edhe të gjithë atyre, që besonin në një Zot të vetëm, ashtu si Samaritani? Prej këndej, edhe pse pyetja e doktorit të Ligjit është tendencioze, sepse synon t’i ngrejë një kurth Jezusit, pasqyron diskutimet ndërmjet lëvizjeve të ndryshme në Palestinë, në atë kohë të largët.

Pjesa e parë e dialogut merret me këtë çështje. Përballë shtimit të ligjeve, doktori i Ligjit e Jezusi pajtohen me mendimin se dashuria për Zotin e për të afërmin është kusht i nevojshëm për të trashëguar jetën e pasosur. Doktori i Ligjit, në përgjigjen e tij, kujton Librin e Ligjit të përtrirë (6,5)  e atë të Levitikut 19,18, për të njëjtësuar dashurinë për Zotin, me atë për të afërmin.

Në këtë pikë doktori i Ligjit kërkon t’i kurdisë Jezusit një grackë edhe më të rrezikshme: e kush është i afërmi, që duhet dashur? Vëllai, familjari, miku, i huaji, apo edhe armiku? A mund të shikohet si i afërm deri njeriu që nuk beson në dashurinë e Zotit? Me një strategji mjeshtrore, Jezusi  sintonizon shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë me dy urdhërimet: flet për urdhërimin e dashurisë ndaj të afërmit, për të kujtuar atë për Zotin, pa ia përmendur emrin.

Prifti, leviti, Samaritani

Si zakonisht, personazhet e shëmbëlltyrës janë pa emër, ndërsa vëmendja e Jezusit përqendrohet tek identiteti fetar dhe etnik i tyre. Jezusi niset nga një ngjarje e largët: nuk ka arritur akoma në Jeriko, ndërsa shtegton drejt Jeruzalemit, e nis të mendojë për një njeri, që zbret nga Qyteti Shenjt, në Jeriko.  Udha, që i lidhte dy qytetet, ishte e rrezikshme, sepse e përshkuar nga lugina e Wadi Qelt. Ndërsa Jeruzalemi ngrihet në një lartësi prej 750 metrash, Jeriko është 400 metra nën nivelin e detit. Prandaj, siç tregon shëmbëlltyra, është e nevojshme të zbresësh nga Jeruzalemi, për të arritur në Jeriko. Jezusi tregon sesi disa cuba sulmojnë një burrë që kalonte asajt , e grabisin dhe e lënë gjysëm të vdekur në mes të udhës. Gjendja e njeriut ndër grahma është një nga pikat nevralgjike të shëmbëlltyrës. A mund ta prekësh njeriun, që po vdes pa u rrezikuar të ndotesh?

Nuk është aspak e rastit që të zgjidhen tre personazhe të cilët, në mënyra të ndryshme, marrin pjesë në diskutimin e lidhur me kultin e Zotit: një prift që ngjitet a që zbret nga Jeruzalemi për t’i shërbyer Tempullit; një levit, që i përket klasës priftërore, por mund të ushtrojë edhe shërbimin e kultit e një Samaritan. Samaritani është i treti i padëshirueshëm. Sipas mendësisë judaike, është i papastër. Për t’u shikuar si i huaj. Në dialogun ndërmjet Jezusit e Samaritanes duhet të shikojmë shkakun kryesor të ndeshjes ndërmjet dy popujve: “Mbi cilin mal duhej adhuruar Zoti? Në Jeruzalem, apo mbi malin Garizim? (Gjn 4,20).

Sipas Ligjit të Moisiut, kushdo prek një kufomë, konsiderohet si i papastër për një javë rresht: në se është i papastër e kryen akte kulti, duhet dëbuar nga Izraeli (Lv 21,1-4). Kështu zgjidhet një situatë  e mprehtë, në të cilën  prifti e leviti vihen para alternativës së zbatimit të pastërtisë së kultit e ndihmës që i duhej dhënë njeriut në grahma. Ndërsa duhet shënuar se në kushte të tilla, të dy duhet ta ndihmonin njeriun e dërmuar. E megjithatë, të dy bëjnë sikur nuk e shikojnë e vijojnë, të çkujdesur, rrugën.

Së fundi në skenë hyn Samaritani. E shikon njeriun e mekur. Ndjen dhimbje për të. Ndalohet e e ndihmon. Krijon, kështu, kontrastin e papranueshëm me dy të tjerët, që nuk bënë, çka bëri armiku. Përmbajtja e shëmbëllytyrës bëhet provokuese, sepse dashuria për Zotin nuk e garanton atë për të afërmin. Në vend që njeriu i dërmuar nga cubat të shpëtohej nga prifti e leviti, shpëtohet nga  një i huaj! Këtu pika kulmore e shëmbëlltyrës, për zgjidhjen e së cilës do të flasim në emisionin e ardhshëm, i 42-ti, që titullohet: “Nga mëshira, tek kujdesi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.