2016-06-03 15:04:00

Shenjtorët e Javës 5 – 12 qershor


E diel 5 qershor, Kisha katolike kremton të Dielën e 10-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 5 qershor, kalendari përkujton edhe shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë e shën Pjetrin e fshatit Korishë afër Prizrenit, oshënar nga Kosova.

Liturgjia në këtë ditë na kujton se dashuria për Hyjin shprehet konkretisht në dashurinë për të afërmin, të cilin duhet ta duam si vetveten. Duhet të kujtojmë pra, se Hyji, vetvetja e të tjerët janë tri mundësi, që mund t’i shfrytëzojmë për të dëshmuar se jemi krijesa të reja në Krishtin.
 
Të hënën më 6 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i kanonikëve Rregulltarë Premostratens; shenjtorët Artemin e Paolinen, martirë dhe shën Klaudion, abat e ipeshkëv. Liturgjia e ditë na na kujton se ligji i Zotit është burim i paqes!
 
Të martën më 7 qershor, kalendari kishtar përkujton  shën Anton Maria Gjanelin, ipeshkëv i Bobios, themelues i Bijave të Marisë. Liturgjia e fditës na nxit të reflektojmë mbi rëndësinë që ka jo sasia, por cilësia e dhuratave që u bëjmë të tjerëve me dashuri. E kjo e fundit varet nga zemra.

Të mërkurën më 8 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit. Liturgjia na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Të enjten më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, shën Primo-n (Prelën) dhe shën Feliçianin, martirë.
Liturgjia e ditës na kujton se në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, të afërmit tonë, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri.

Të premten më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Landerikun e shën Cenzurin. Liturgjia na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të shtunën më 11 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Barnabën, apostull. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të dielën e ardhshme më 12 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik ‘C’. Gjithnjë më 12 qershor kalendari përkujton edhe shën Onofrin.

Liturgji e kësaj së diele na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile. 








All the contents on this site are copyrighted ©.