2016-06-03 13:36:00

Selia e Shenjtë: fjalët me urrejtje kundër pakicave shndërrohen në dhunë


Selia e Shenjtë është “thellësisht e shqetësuar” për rritjen dhe përhapjen në kontinentin evropian të një gjuhe (fjalori) gjithnjë e më armiqësor ndaj pakicave kombëtare: kështu pohoi përfaqësuesi i Vatikanit, mons. Janusz Urbanczyk, me rastin e paraqitjes në Vjen të raportit mbi pakicat kombëtare përgatitur nga OSCE-ja, Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Është fjala – tha prelati, Vëzhgues permanent i Selisë së Shenjtë pranë OSCE-së – për fjalët që vërtetë janë plot “urrejtje”, që mund të shndërrohen në “akte të dhunshme” e në konflikte në shkallë të gjerë: “T’i parandalosh shprehjet plot urrejtje do të thotë t’i shmangesh konfliktet” e të promovosh paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.

Duhen shmangur – vijoi mons. Urbanczyk - “pasojat tragjike të asaj pjerrësie rrëshqitëse, që shpesh fillon me shpoti apo me forma tjera të përjashtimit shoqëror”, që  pastaj “sjellin deri te akte diskriminuese – që shpesh janë edhe të sanksionuara me ligj – e që shkaktojnë një intolerancë që shndërrohet në dhunë”.

Vëzhguesi permanent i Selisë së Shenjtë pranë OSCE-së denoncon “rritjen e fjalimeve politike që kanë në shënjestër pakicat kombëtare apo përdorin stereotipa të rrënjosura te ato pakica” për të promovuar programet e tyre politike të mirë përcaktuara: një tendencë kjo që “duhet kundërshtuar” përmes rritjes së një pjesëmarrjeje  politike të të gjithë qytetarëve, pa dallim e pa përjashtim.

Edukimi, sidomos i të rinjve – pohoi së fundit mons. Urbanczyk – luan “një rol vendimtar në punën e parandalimit të konflikteve” dhe në promovimin e një “tolerance të vërtetë dhe të mos diskriminimit”. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë uron që të promovohen të gjitha ato programe edukative që e përforcojnë “më shumë mirëkuptimin dhe respektin ndaj kulturave, etnive e feve të ndryshme”. Programe që përhapin “vlerat universale, siç është respekti për dinjitetin e çdo njeriu, solidaritetin ndërmjet njerëzve dhe respektin për fenë e tjetrit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.