2016-06-03 10:52:00

Më 3 qershor kalendari kujton shenjtorët Karl Luanga e shokët martirë të Ugandës


Më 3 qershor kalendari përkujton shenjtorët Karl Luanga e shokët martirë të Ugandës. Mes vitit 1885 e 1887 me qindra të krishterë qenë viktima të përndjekjeve në Ugandë. Karl Luanga qe shembull i shokëve të vet që flijimin e tyre e bashkuan me atë të Krishtit në Kampala. Karli e shokë e tij janë martirët e parë të Afrikës së kohëve moderne.

Karli ishte shtëpiak në pallatin e mbretit Muanga të mbretërisë së vjetër të pavarur të Bugandës, që sot është provincë e Republikës së Ugandës. Ai u pagëzua gjatë ungjillëzimit të Etërve të Bardhë të themeluar nga kardinali Lavizherie. Ishte viti 1885. Një vit më pas, mes rojeve mbretërore e pazhëve, ai u dogj i gjallë në Namugongo bashkë me dymbëdhjetë shokë të tjerë. Ishin të gjithë të rinj. Turrës së madhe të druve të 3 qershorit i pasoi masakra e tmerrshme e filluar më 15 nëntor të vitit 1885 me prerjen e kokës së kryeshërbëtorit të mbretit, Jozef Balikudembes. 

E në një kohë të shkurtër u vijua me martirizimin e të krishterëve të tjerë që u torturuan e gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Llogaritet se nga 15 nëntori i vitit 1885 deri më 27 janar 1887 janë masakruan mbi njëqind të krishterë. 27 janari ishte dita kur Gjon Maria Muzeit iu pre koka dhe iu hodh në një pellg uji.
Sot kalendari kishtar përkujton njëzet e dy martirët e Ugandës, të shpallur të lumtur më 6 qershor të vitit 1920 nga Papa Benedikti XV dhe shenjtorë nga Papa Pali VI më 8 tetor 1964. 

Rregulltarët Etërit e Bardhë kishin filluar ungjillëzimin e vendit në qershorin e vitit 1879. Fillimisht u pritën mirë nga vetë mbreti Muteza dhe nga pasardhësi i ri, mbreti Muanga. Por, ky i fundit u ndikua shpejt nga kancelari i mbretërisë dhe nga kryetarët e fiseve. Pasi ndryshoi sjelljen e favorshme ndaj të krishterëve, mbreti urdhëroi shtypjen e përndjekjen e tyre dhe nuk ngurroi t’i vriste disa me duart e veta. 

Në Namugongo është ndërtuar një shenjtërore e madhe në nder të njëzet e dy shenjtorëve ugandas, e cila u shugurua nga Papa Pali VI gjatë vizitës së tij apostolike në Ugandë në korrik të vitit 1969. Pikërisht në Shenjtëroren e Namugongos, Papa Montini i pat thirrur besimtarët ta duan Jezu Krishtin, t’i jenë besnik Kishës e të jenë të fortë e guximtarë, në kultivimin e vlerave shpirtërore e njerëzore. 

Për shën Karl Lwanga dhe shokët e tij Jezu Krishti nuk ka qenë simbol i një vlere të dosido e abstrakte, por simbol i një Personi të gjallë e konkret, një Personi absolutisht të jashtëzakonshëm, për të cilin çdo i pagëzuar mund të thotë me fjalët e Shën Palit Apostull: ‘Më ka dashur dhe ka flijuar vetveten për mua’. Dëshmia e martirëve ugandezë na fton të dëshmohet bukuria e fesë së flaktë, që shndërron jetën e përditshme dhe propozohet si mënyrë tërheqëse për ata që pyesin e kërkojnë arsyet e shpresës që janë në ne, besimtarët e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.