2016-06-03 14:55:00

Fetë kundër terrorizmit: solidaritet me të persektuarit


“E presim me kënaqësi takimin e Papës Françesku të Kishës katolike romake, me Patrikun Kirill të Moskës e të gjithë Rusisë, që shpreh vullnetin e krerëve fetarë për t’i lënë mënjanë të gjitha ndryshimet e për të rifilluar dialogun në emër të paqes”. Kështu shkruhet në Deklaratën përfundimtare të Konferencës ndërkombëtare “Fetë kundër terrorizmit”, që përfundoi më 1 qershor, në Astana, kryqytet i Kazakistanit.

Solidaritet me bashkësitë fetare të persekutuara

“Mbështesim thirrjen për luftë globale kundër terrorizmit nga ana e krerëve të dy Kishave kryesore, vijon teksti, në të cilin pranohet rëndësia e promovimit të dialogut ndërmjet bashkësive fetare dhe e takimit të Papës Françesku me Kryeimamin e Universitetit Islamik Al-Azhar, Ahmed El-Tayeb”.

Në Konferencë morën pjesë përfaqësues fetarë e politikë, ardhur nga 40 vende të botës. Ndërmjet tyre, edhe një delegacion katolik, kryesuar nga kardinali Josef Tomko, prefekt nderi i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

Dënim kundër çdo forme të ekstremizmit

Ndërmjet 28 pikave të Deklaratës - kujton agjencia Sir - është edhe një, që e dënon vendosmërisht terrorizmin si dhe esktremizmin e dhunshëm, posaçërisht kur, me pretekstin e mesazhit fetar, shkel të drejtat e dhunon lirinë”. Shprehet, pastaj, edhe solidariteti me bashkësitë që vuajnë në shumë zona të botës, shoqëruar me impenjimin për t’i zhdukur shkaqet e terrorizmit, ndërmjet të cilëve, varfëria, papunësia, mungesa e stabilitetit dhe konfliktet. Gratë e familjet - nënvizohet në fund të tekstit - kanë një rol të posaçëm në edukimin e të rinjve, gjithnjë më të ndikuar nga ideologjitë ekstremiste, si dhe në betejën kundër këtyre ideologjive.  








All the contents on this site are copyrighted ©.