2016-06-02 12:14:00

Papa në Jubileun e meshtarëve: kishat pa mëshirë nuk sjellin fryte


Nëse në kishë nuk veprohet me mëshirë, jo vetëm që ajo nuk sjell fryte, por ka rrezik të bëjë të kundërtën, pra t’i largojë njerëzit e të mos i frymëzojë ata për vepra të mira. Papa Françesku foli pa doreza, në meditimin e parë të ushtrimeve të sotme shpirtërore, në kuadrin e Jubileut të Meshtarëve, që filloi dje e përfundon nesër, në 160-vjetorin e Solemnitetit të Zemrës së Krishtit.

Rreth 6 mijë meshtarë, ardhur nga e gjithë bota, u shpërndanë sot në tri bazilika kryesore papnore, ku Ati i Shenjtë mban tre meditime gjatë ditës, në orën 10.00, 12.00 e 16.00, fillimisht në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, më pas në atë të Zojës së Madhe e së fundi, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Meshtarët e pranishëm në tri bazilikat, por edhe në kisha të tjera të Romës, mund ta ndjekin Papën në lidhje të drejtpërdrejtë video, realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit.

Gjithnjë me stilin e tij të përzemërt e të afërt, në meditimin e parë, Papa Françesku përmendi disa herë Shën Injacin, duke kërkuar falje me shaka për reklamën, që i bëri familjes së tij rregulltare, jezuitëve. Pastaj, u thellua në marrëdhëniet e meshtarëve me të tjerët. Kurrë, u tha, mos e konsideroni tjetrin thjesht “një rast”. Për ne është gjithnjë “një person”. “Shpesh – denoncoi – meshtarët e bëjnë këtë: është pak klerikalizëm. Thonë: ‘po rri larg, nuk më përket mua, bëj një baritori pa emocione dhe nuk rrezikoj asgjë’. E nuk më jepet kështu, as mundësi për ndonjë mëkat të turpshëm”.

Në meditimin e parë të sotëm, Bergoljo mori shkas nga shembëlltyra e Atit të mëshirshëm apo e djalit plangprishës. Sipas Papës, “mëshira është emocion, që prek thellë përbrenda, por mund të lindë edhe nga një perceptim i hollë intelektual. Për shembull, kuptohet kur tjetri ndodhet në gjendje të dëshpëruar, në zgrip; kur i ndodh diçka, që i tejkalon mëkatet e gabimet e tij; kuptohet se tjetri është si unë, se mund të isha unë në vend të tij; e se e keqja që po i ndodh është kaq e madhe e shkatërruese sa nuk mund të përballohet vetëm me drejtësi”.

Duke komentuar çastin në të cilin djali plangprishës pendohet, Papa Françesku tregoi historinë e “një njeriu, që jetonte në rrugë e që përfundoi në një strehë për të varfërit. Ishte mbyllur në hidhërimin e tij, nuk fliste me të tjerët. Njeri i kulturuar – nënvizoi Ati i Shenjtë – por e kuptuan më vonë. Pak kohë më pas, ky njeri u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme e ndërsa ndodhej aty, i trishtuar nga zhgënjimi në jetë, fqinji i tij i kërkoi t’i kalonte pështymoren e pastaj, i tha t’ia zbraste. Ajo kërkesë, që vinte nga dikush, vërtet në nevojë e në gjendje më të keqe se ai vetë, i hapi sytë dhe zemrën për një ndjenjë të fuqishme humaniteti, duke i ngjallur dëshirën për ta ndihmuar tjetrin e për ta lënë vetveten në dorë të Zotit. Kështu, një gjest i thjeshtë mëshire e lidhi me mëshirën e pasosur, pati guximin ta ndihmojë tjetrin e pastaj, lejoi ta ndihmonin: vdiq i rrëfyer e në paqe”.

Që këndej, Papa, i cili nënvizoi se mëshira është begati dashurie e skajshme nga ana e Zotit, u kërkoi meshtarëve që:

“…së pari, të shohin se ku, bota e sotme e çdo njeri, kanë më tepër nevojë për një begati të tillë dashurie. Para së gjithash, ta pyesim veten cili është vendi për një mëshirë të tillë, cili është terreni i shkretuar e i thatë për ta përmbytur me këtë ujë të gjallë; cilat janë plagët për këtë vaj balsam; cilat janë kushtet e jetimëve, që kanë nevojë për kaq shumë dashuri e vëmendje; cila është distanca për një etje kaq të madhe për një përqafim e një takim”.

Hiri që duhet t’i kërkojmë Zotit, theksoi Papa Françesku, është të bëhemi meshtarë, gjithnjë e më të aftë të marrim e  të japim mëshirë. Prej këndej duhet të vijnë frytet e ndryshimit të mendësisë sonë institucionale: nëse strukturat tona nuk kanë jetë e nuk përdoren për ta marrë sa më mirë dhuratën e mëshirës së Zotit e për të qenë më të mëshirshëm me të tjerët, mund të shndërrohen në diçka krejt tjetër e të japin madje, fryte negative.








All the contents on this site are copyrighted ©.