2016-06-02 12:49:00

Papa: meshtarëve, jini të ‘mëshirshëm e mirëkuptues’ me njerëz


Françesku: mëkatarët mund të bëhen Shenjtorë të mëdhenj. Si Papa i parë, Pjetri. “Secili prej nesh e ka në shpirt sekretin e mjerimit të vet!”. Këtë vijoi të nënvizonte Papa Françesku në meditimin e parë, propozuar meshtarëve të mbarë botës, mbledhur me rastin e Jubileut të tyre, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Katedralja e Papës.

“Çfarë ndjejmë, kur njerëzit na puthin dorën e ne fshehim brenda vetes mjerimin tonë më intim?” - i pyeti Papa meshtarët e pranishëm, gjatë meditimit të parë. E kujtoi më tej dialogun ndërmjet Jezusit e Pjetrit, gjatë të cilit Zoti, ndonëse i vetëdijshëm për kufizimet e tjetrit, e ngarkoi me një mision të madh, të jashtëzakonshëm: do të ishte peshkatar njerëzish. E më pas do ta pyeste vazhdimisht  nëse e donte, duke e bërë të ndjejë dhimbje e turp për pabesinë dhe burracakërinë e tij. E, pavarësisht nga e gjithë kjo, Jezusi do t’ia besonte Pjetrit tri herë rresht detyrën e madhe: t’ia kulloste delet e tija.

“Duhet të vendosemi - porositi Papa Françesku – në hapësirën ku banojnë mjerimi ynë më i turpshëm e dinjiteti ynë më i lartë. Të ndyrë, të papastër, shpirtvegjël, mendjemëdhenj, egositë - e njëkohësisht, me këmbë të lara, të thirrur e të zgjedhur për t’i shpërndarë turmës bukët e shumëzuara, të bekuar nga njerëzit tanë, të dashur e të kujdesur. Vetëm mëshira e bën të durueshme këtë gjendje. Pa të o do të besojmë se jemi të drejtë, si farizenjtë, o do të largohemi si njerëz, që nuk e ndjejnë veten të denjë. Në të dyja rastet zemra bëhet gur: si kur besojmë se jemi të drejtë, si farizenjtë, ashtu edhe kur largohemi, si tagramledhësi, që nuk e ndjente veten të denjë. Po unë duhet të rri aty, me turpin tim!

Mund edhe të jetojmë gjatë –vërejti Ati i Shenjtë - pa mëshirën e Zotit. E kjo do të thotë se mund të jetojmë pa vetëdije e pa e kërkuar haptazi, derisa ta kuptojmë se gjithçka është mëshirë e të qajmë me lot të hidhur, duke menduar se nuk përfituam më parë, në atë çast kur kishim më shumë nevojë.

Mjerimi, për të cilin po flasim - vijoi Papa - është mjerim moral. I patransferueshëm, të bën të vetëdijshëm për vetveten si njeri që, në një çast vendimtar të jetës, veproi me nismën e tij, bëri një zgjedhje e zgjodhi keq. Ky - vijoi Françesku - është fundi, që duhej prekur për të ndjerë dhimbje për mëkatet e për t’u penduar me të vërtetë. E kjo, sepse në raste të tjera,  njeriu nuk ndjehet kaq i lirë,  e as nuk e ndjen se mëkati ndikon negativisht mbi gjithë jetën e tij. Madje nuk arrin as ta kuptojë mjerimin e vet, e kështu e humbet mëshirën, që vepron vetëm në këto kushte. Kur ndokush shkon në farmaci për të kërkuar një aspirinë, nuk i drejtohet farmacistit me fjalët: “Ki mëshirë për mua e më jep një aspirinë”. Për mëshirë kërkohet morfina, kur njeriu mbërthehet nga dhimbje të padurueshme, shkaktuar nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Gjithçka, ose asgjë! Shkohet deri në fund të fundit, ose nuk kuptohet asgjë! Kishat pa mëshirë, bëjnë efekt të kundërt - rikujtoi. E me këto fjalë Papa Françesku e përfundoi meditimin e parë në Katedralen e Shën Gjonit në Lateran. 








All the contents on this site are copyrighted ©.