2016-06-02 14:25:00

Françesku: mëkatarët mund të bëhen shenjtorë të mëdhenj. Si Papa i parë


Në orët e mesditës Papa Françesku arriti në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ne Rome, ku, pasi u gjunjëzua para Zojës “Salus Populi Romani” me atë devocion, që tashmë njihet nga të gjithë, vendosi një tufë me trëndafilë të kuq te këmbët e Nënës së Virgjër të Zotit. Më pas nisi meditimin e dytë drejtuar meshtarëve dhe seminaristëve, mbledhur rreth tij për Jubileun e tyre të Mëshirës.

Pothuajse të gjithë shenjtorët e mëdhenj ishin edhe mëkatarë të mëdhenj, pohoi Papa Bergoglio në krye të meditimit të dytë. E në vijim kujtoi përsëri Shën Pjetrin, që e mohoi tri herë Krishtin, e megjithatë, u bë Papa i parë. Kujtoi edhe Shën Palin, që s’deshi ta besojë Zotin e iu kundërvu me të gjitha forcat të krishterëve, për t’u bërë, për hir të Jezusit, Apostull i Popujve.

Vërejmë - shtoi Françesku - se në ushtrimin e mëshirës, që e shpërblen të keqen e bërë, askush nuk është më i mirë, sesa ai që e provoi mëshirën, për të njëjtën të keqe. Shikojmë se ata që u shpërblyen, e kuptojnë më mirë ndikimin e mëshirës dhe ndihmojnë më shumë për t’i shëruar edhe  mëkatarët e tjerë.  Rrëfyesi më i mirë është zakonisht ai, që di të rrëfehet më mirë.

Mëkati ynë është si kullonjëse, si kanë e shpuar uji, nga e cila rrjedh hiri. Kjo, metafora që përdori Papa në meditimin e dytë, kushtuar temës “Streha e mëshirës”.

Ati i Shenjtë Françesku pohoi me forcë se Zoti s’lodhet kurrë së faluri, edhe kur e shikon se hiri i tij nuk arrin të lëshojë rrënjë të forta në tokën e zemrës sonë, edhe kur vëren se rruga është e vështirë, plot me gurë e barishte të egra. Zoti kthehet përsëri e përsëri për të hedhur farën e mëshirës, për ta mbjellur hirin e vet e faljen e vet. Mëshira e Zotit është gjithnjë më e madhe se vetëdija jonë e mëkatit. E jo vetëm që nuk lodhet duke na falur, por e  bën përsëri të ri shakullin, për verën e mëshirës së Tij, që të mos jetë si pekt i arnuar, as si shakull i vjetëruar. E ky shakull është vetë mëshira e Tij: mëshira e Tij, kur e provojmë në zemrën tonë dhe e vëmë në jetë duke ndihmuar të tjerët. Zemra, që e provoi mëshirën, nuk është zemër  e arnuar, por zemër e re, e rikrijuar.

Papa Françesku nënvizoi se figurën përfundimtare të strehës së mëshirës e gjejmë përmes plagëve të Zotit të ngjallur. Figurë e gjurmës së mëkatit të shpërblyer nga Zoti, që nuk shlyhet plotësisht e as nuk infektohet: është   blanë,   gjurmë – nënvizoi Papa – jo plagë e qelbëzuar.

Mëshira nuk na pikturon një fytyrë prej njeriu të mirë, nuk na bën photoshop. Por me të njëjtat fije të mjerimeve tona e të mëkateve tona, na end në një mënyrë të tillë, që e rinon shpirtin tonë. E shpirti rifiton shëmbëllimin e tij të vërtetë, atë të Jezusit.   

Duke kujtuar shtegtimin e  tij në Meksikë, Papa u tha priftërinjve e seminaristëve se u lut që të mund të jenë meshtarë të mirë. Në atë çast që ma dhuroi populli meksikan – kujtoi -  me sytë e ngulur mbi Marinë, Zojën e Guadalupes, duke  e parë e duke më parë, i kërkova për ju, të dashur priftërinj, që të jeni meshtarë të mirë - tha Papa Françesku.

“Hapësira që hapin sytë e saj – vijoi duke folur për Zojën - është ajo e një prehëri, jo e një gjykate, e as një konsultoreje profesionale”. E në përfundim, ftesa: “Nëse ndonjëherë shikimi juaj ashpërohet, nëse kur u afroheni njerëzve ndjeni bezdi ose nuk ndjeni gjë prej gjëje, shikojeni përsëri Atë - tha, duke rikujtuar Marinë - shikojeni me sytë e më të vegjëlve, me sytë e atyre, që kërkojnë ethshëm një prehër të ngrohtë, e Ajo do t’jua pastrojë sytë nga çdo perde, që nuk ju lejon ta shikoni Krishtin ndër shpirtrat, do t’ju shërojë nga miopia, që ju bën të bezdiseni nga nevojat e njerëzve, të cilët janë shëmbëllim i Zotit të mishëruar, e edhe nga presbiopia, që shikon vetëm vogëlsitë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.