Qershori – muaji i Zemrës së Krishtit. Në sa përfundoi muaji maj, kalendari na shpalosi 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar: qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh.
Por cila është simbolika e Zemrës së shenjtë të Krishtit?
Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol
që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Shën Gjon Pali II në një
nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq
të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht
ndërtimtar.
E kur lindi ky devocion?
Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës
në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është
e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të
Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj,
Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit,
provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit
me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës
së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar
romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi
me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit
të mishëruar të Hyjit.
Po ndoshta fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë:
çfarë përfitimi shpirtëror kemi nga ky devocion?
Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin,
për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë
t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje
shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është
e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. Eshtë fjala për formalizmin, për ndjekjen
e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi,
për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është
miqësia e vërtetë me Zotin!
Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe me Apostullimin e Uratës…
Përshpirtëria apo devocioni ndaj Zemrës së Krishtit është pikërisht në qendër të Apostullimit
të Uratës. E ka qenë që në zanafillën e këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët
të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore.
All the contents on this site are copyrighted ©. |