2016-06-01 14:54:00

Kardinali Comastri: dashuria e Zotit i drejton shtrembësitë tona


“Ashtu si Maria, edhe ne duhet të themi ‘po’”. Kështu u shpreh kardinali Comastri, mëkëmbës i Papës për Qytetin e Vatikanit, duke iu drejtuar besimtarëve mbledhur rreth Shpellës së Lurdës, në Kopshtet vatikanase, në përfundim të muajit të majit, kushtuar Marisë. Rruzares i parapriu procesioni me qirinj të ndezur.

Njëkohësisht me kremtimin në Kopshtet e Vatikanit, lutja drejtuar Zojës, jehoi në mbarë botën katolike. E me të, edhe thirrja e kardinalit Komastri:  

“Ta rikthejmë Rruzaren në familjet tona: lutja e shndërron jetën, i shndërron marrëdhëniet. François Mauriac, besimtar e shkrimtar i shkëlqyer i shekullit të kaluar, pati thënë: ‘Kur shtrëngojmë Rruzaren, kemi shtrënguar vetë dorën e Zojës, që na ndihmon ta përshkojmë rrugën e jetës, përplot me rreziqe, posaçërisht sot. Por me nënën çdo bir e ndjen veten të sigurt. Të ndahemi me këtë zotim; ta rikthejmë Rruzaren në familje. Është lulja më e bukur, që mund t’ia dorëzojmë sonte Marisë!”.

Papa u bashkua shpirtërisht me besimtarët

“Bashkohem shpirtërisht me besimtarët në shprehjet e shumta të devocionit ndaj Marisë - pati shkruar dje Papa në një tweet. - Tejet e fortë, është dashuria e besimtarëve për Virgjërën Nënë”.

Kujtojmë se në të gjitha Kishat që shqiptarët, kudo jetojnë e punojnë, ia kushtuan Zojës së Bekuar, u kremtuan procesione e Meshë, me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. Posaçërisht në Shenjtëroren kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë, rrëzë Kështjellës Rozafa, ku gjatë muajit maj nuk pushuan s’u mbledhuri besimtarë nga i gjithë qyteti  e rrethinat e tij. Ishin aq shumë, sa të mos i zinte Kisha e vogël, e lashtë. Prej këndej  Meshët u ndoqën edhe në oborrin, mbëshjellë me re luesh, në kulmin e lulëzimit.

Kujtojmë edhe kremtimin, kryesuar nga kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, në Shenjtëroren e Gjenacanit, ndjekur nga shqiptarë ardhur nga të katër anët e diasporës.








All the contents on this site are copyrighted ©.