2016-06-01 14:33:00

Jubileu i meshtarëve. Papa: mbështetini me dashuri priftërinjtë


Mijëra priftërinj e seminaristë, ardhur nga e gjithë bota, ndodhen në Romë me rastin e Jubileut të Meshtarëve, që filloi sot. Papa Françesku foli për këtë edhe në audiencën e përgjithshme:

“Të premten kremtohet Solemniteti i Zemrës së Krishtit, këtë vit, pasuruar nga Jubileu i meshtarëve. Ju ftoj të gjithëve t’i luteni gjatë gjithë muajit qershor Zemrës së Krishtit dhe t’i mbështesni nga afër, me dashuri, meshtarët tuaj, që të jenë gjithnjë imazh i asaj Zemre plot me dashuri të mëshirshme”.

“Në përngjasim me Bariun e Mirë, prifti është njeri i mëshirës dhe i dhembshurisë, pranë njerëzve e shërbëtor i të gjithëve”. Kjo shprehje e Atit të Shenjtë Bergoglio do të jetë boshti i Jubileut të Meshtarëve, nga 1 deri më 3 qershor. Risia e tij qëndron në tre meditimet, që Papa Françesku do të ndajë me meshtarët e seminaristët, nesër, më 2 qershor, në tri bazilika papnore, por edhe në televizionet kryesore katolike kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe në faqen zyrtare të Jubileut në internet “im.va”.

Roma zien ndërkaq, nga rreth 6 mijë priftërinj, të cilët sot paradite u ndanë në tri kisha jubilare (ajo e Shëlbuesit në Lauro, ajo e Shën Marisë në Vallicella dhe ajo e Shën Gjonit të Fiorentinëve) për adhurimin eukaristik dhe për Sakramentin e Pajtimit. Pasdite, kalimi i Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndjekur nga katekizmi në gjuhë e në kisha të ndryshme të Romës, si edhe nga mesha.

Dita e nesërme, 2 qershor, do t’i kushtohet ushtrimeve shpirtërore me predikimet e Papës Françesku në tri Bazilika papnore: ajo e Shën Gjonit në Lateran, ajo e Zojës së Madhe dhe ajo e Shën Palit jashtë Mureve. Ati i Shenjtë do të shkojë me radhë në to, në orën 10.00, 12.00 e 16.00. Meshtarët e seminaristët e mbledhur në bazilikat e tjera do t’i ndjekin ushtrimet në lidhje të drejtpërdrejtë, realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit. Gjithashtu, ushtrimet shpirtërore mund të ndiqen në faqen e internetit të Jubileut të Mëshirës “im.va” në disa gjuhë.

Për t’i përfunduar si duhet këto ushtrime, menjëherë pas meditimit të tretë të Atit të Shenjtë, do të nisin bashkëkremtimet eukaristike në tri bazilikat kryesore e në disa kisha të tjera në zonën e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, për t’u dhënë mundësi grupeve të ndryshme ta kremtojnë liturgjinë në gjuhën e vet.

Të premten, më 3 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, bashkëkremtimi eukaristik në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 9.30, do të kryesohet nga Papa Françesku, në mbyllje të Jubileut kushtuar meshtarëve, pikërisht në 160-vjetorin e themelimit të këtij solemniteti për Kishën universale.








All the contents on this site are copyrighted ©.