2016-05-31 11:36:00

Papa: i krishteri shërben menjëherë e me gëzim, jo hundë e buzë


Nëse do të mësonim si t’u shërbejmë të tjerëve, ah si do të ndryshonte për mirë bota: ky qe njëri nga mendimet e Papës Françesku, me të cilin përfundoi homelinë e sotme në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë ia kushtoi reflektimin e tij Zojës, në ditën që mbyll muajin marian. Shërbimi dhe takimi, nënvizoi, na bëjnë të provojmë një gëzim, që e mbush jetën.

Fytyra e gëzuar e ajo hundë e buzë

Pasia e Zojës, pra vizita që Maria i bën kushërirës së saj Elizabetës, qe pjesa ungjillore, që komentoi Papa. Së bashku me fjalët e Sofonisë profet dhe me Leximin e parë marrë nga Shën Pali Apostull është “liturgji plot gëzim”, nënvizoi Françesku, një puhi ajri i freskët, që e mbush jetën tonë:

“Gjë e shëmtuar, të krishterët hundë e buzë, të krishterët e trishtuar. Gjë e shëmtuar, e shëmtuar, e shëmtuar. Nuk janë krejtësisht të krishterë. Besojnë se janë, por nuk janë plotësisht. Ky është mesazhi i krishterë: kjo atmosferë gëzimi, që na dhuron sot liturgjia. Dua të nënvizoj vetëm dy gjëra: së pari, një qëndrim; së dyti, një fakt. Qëndrimi është shërbimi”.

Gratë, guximi i Kishës

Shën Maria shkon të kryejë një shërbim, pa u lëkundur, pa menduar dy herë. Zoja, na thotë Ungjilli, shkoi shpejt e shpejt, me ngut, me nxitim, pavarësisht se ishte shtatzanë e mund të haste kusarë gjatë rrugës. Kjo vajzë 16-17 vjeçare, jo më shumë, shtoi Papa, ishte guximtare. Niset e shkon pa shumë fjalë:

“Guxim prej gruaje. Kemi gra guximtare në Kishë: janë si Zoja. Kemi gra, që kujdesen për familjen; gra, që edukojnë fëmijët, që përballojnë shumë vështirësi, shumë dhimbje, që kurojnë të sëmurët… Guximtare: ngrihen e shërbejnë, …shërbejnë. Shërbimi është shenjë e krishterë. Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk i shërben jetës. Shërbim plot gëzim: ky është qëndrimi, që dua të nënvizoj sot. Ka gëzim dhe shërbim. Gjithnjë për të shërbyer”.

Takimi është shenjë e krishterë

Pika e dytë, në të cilën u ndal Papa, është takimi i Marisë me kushërirën. Këto dy gra, vërejti Ati i Shenjtë, takohen me gëzim të madh e në atë çast, gjithçka është festë. Ah sikur ta mësonin mirë këtë, shërbimin dhe takimin me të tjerët, sa shumë do të ndryshonte bota, uroi Papa Françesku:

“Takimi është shenjë tjetër e krishterë. Njeriu, që thotë se është i krishterë, por nuk është i aftë t’i takojë të tjerët, të hapë zemrën për ta, nuk është krejtësisht i krishterë. Si shërbimi, ashtu edhe takimi, kërkojnë daljen nga vetvetja: të dalim për të shërbyer, për t’u takuar e për ta përqafuar tjetrin. Përmes këtij shërbimi të Marisë, përmes këtij takimi, risohet premtimi i Zotit, aktualizohet në të tashmen, në atë të tashme. E pikërisht Zotin – siç e dëgjuam në Leximin e parë: ‘Hyji yt, mes teje’ – Zotin e gjejmë në shërbim, Zotin e gjejmë në takim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.