2016-05-31 15:55:00

Ipeshkvi nigerian: po bëhen përpjekje për të zhdukur të krishterët


Mëse 11 mijë të krishterë të vrarë, 1,3 milion të tjerë të shpërngulur, 13 mijë kisha të shkatërruara, ose të braktisura: Ky është bilanci dramatik i dhunës së terroristëve islamikë të Boko Haramit në veri të Nigerisë, që nga viti 2006 deri në vitin 2014. Statistikat i jep Shoqata e krishterë e Nigerisë, përmes ipeshkvit të Kafanchan-it, imzot Joseph Bagobiri, i cili mori pjesë në një konferencë për lirinë fetare dhe mizoritë kundër të krishterëve e pakicave të tjera fetare në botë, në selinë e OKB-së në Nju Jork. Takimi u organizua nga fondacioni i krishterë spanjoll “CitizenGo” në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë.

Të krishterët, viktima të Boko Haramit dhe të barinjve Fulani

         Në relacionin e tij, me titull “Ndikimi i dhunës së vazhdueshme mbi Kishën në veri të Nigerisë”, prelati foli për një përpjekje sistematike, që synon zhdukjen e pranisë së krishterë në veri të vendit. Bashkësitë më të goditura nga sekti islamik i Boko Haramit, denoncoi ai, janë ato të shteteve veriore të Adamauas, Bornos, Kanos dhe Jobes. Banorët janë detyruar të ikin më në jug, në shtetet me shumicë të krishterë si Plato, Nasaraua, Benu, Taraba dhe pjesa jugore e Kadunës. Por, gjatë muajve të fundit, edhe këto zona janë goditur nga sulmet e barinjve myslimanë Fulani. “Ky është pushtim i hapur i tokave të lashta të të krishterëve dhe të pakicave të tjera”, pohoi ipeshkvi. “Në këto zona, barinjtë Fulani terrorizojnë pa pushim bashkësi të ndryshme, duke i zhdukur disa prej tyre e në disa vende, sulmet kanë marrë tiparet e genocidit”, denoncoi.  

Thirrje për bashkësinë ndërkombëtare

         Prelati i bëri më pas thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë në gjashtë fronte: duke ushtruar presion mbi qeverinë nigeriane që të impenjohet për të garantuar lirinë e plotë të kultit të të krishterëve dhe të pakicave të tjera në veri të Nigerisë; duke promovuar strategji të frytshme për të ndaluar kërcënimet kundër tyre; duke përballuar krizën humanitare të të krishterëve; duke kontrolluar situatën vazhdimisht; duke bërë presion mbi autoritetet nigeriane që të garantojnë sigurinë e të gjithë nigerianëve e duke kërkuar neutralitetin dhe qëndrimin e barabartë të shtetit për të gjitha fetë e vendit.

Kundër persekutimeve antikristiane duhet një rend i ri botëror

         Së fundi, duke iu referuar persekutimeve kundër të krishterëve në botë, imzot Bagobiri kërkoi “një rend të ri botëror, në të cilin familja njerëzore të jetojë në paqe, liri, harmoni dhe dashuri, e lirë nga dhuna e në veçanti, nga ajo e frymëzuar dhe e motivuar nga feja”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.