2016-05-31 13:12:00

Dom Marjan Paloka: Jubileu i Meshtarëve, rast për një ripërtëritje


Papa kremton të enjten e të premten në Vatikan Jubileun e priftërinjve. Kjo javë është e veçantë për priftërinjtë dhe seminaristët e mbarë botës. Momenti kulmor është Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, që do të kremtohet të premten e ardhshme, më 3 qershor, me rastin e kremtimit të Jubileut për priftërinjtë.

Po më tepër mbi domethënien e Jubileut të Meshtarëve, në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë dëshminë e priftit shqiptar dom Marjan Palokës...

Të enjten, më 2 qershor, në mbrëmje Papa Bergoglio do të drejtojë momentin e fort shpirtëror, ushtrimet shpirtërore me tri meditime gjatë tërë ditës: në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, pastaj në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe e së fundit në Bazilikën e Shën Palit. Do të jetë, mund të themi, një “full immersion” mësimi dhe katekizmi mbi Mëshirën e Zotit e një rast për t’u mbushur me atë gëzim hyjnor, që i jep kuptim të thellë jetës njerëzore, jetës meshtarak.

Papa Françesku ka vendos, në rend të parë, që në këtë Jubile, meshtarët dhe seminaristët të kujdesën për vetveten e tyre, të shkëputen nga aktivitetet e shumta baritore, të ndalen për një moment meditimi, ngushëllimi e ripërtëritjeje shpirtërore duke soditur zemrën e Bariut të Mirë të Jezu Krishtit, zemrën e Mëshirshme të Hyjit të mirë. Është pra, një rast i madh e tejet i volitshëm për ta ngulitur vështrimin në personin e Jezusit, për të kundruar në Jezusin dashurinë e madhe, mëshirën hyjnore, dashurinë baritore, për ta falënderuar për veprat e shumta e të mrekullueshme që Ai ka bërë për meshtarët, për Kishën, për njerëzimin mbarë.

Meshtarët janë të vetëdijshëm për kufizimet, për dobësitë e varfëritë njerëzore e tyre njerëzore që kanë, e pikërisht për këtë ndjejnë nevojën e madhe për Mëshirën e Zotit. Kështu, të ripërtërirë, të rilindur në hirin e Mëshirës së Hyjit Atë, mund të rifillojnë misionin meshtarak me popullin e Zotit, duke iu përgjigjur edhe njëherë më me bujari e gatishmëri thirrjes së Tij hyjnore, në shërbim të çdo njeriu. Jubileu i priftërinjve është rast i veçantë për të marrë sërish dhuratën e Shpirtit Shenjt Hyj e për t’i ripërtërirë forcat, guximin, entuziazmin për të qenë pranë të gjithëve. Për këtë Jubile, në Romë, do të jetë e pranishme një përfaqësi e klerit prej të gjitha dioqezave të botës.

Po më tepër mbi domethënien e Jubileut të Meshtarëve, në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë dëshminë e priftit shqiptar dom Marjan Palokës...

 








All the contents on this site are copyrighted ©.