2016-05-30 15:13:00

Papa për Scholas: me dialog fitojnë të gjithë, askush nuk humbet


Papa Françesku priti dje pasdite në Sallën e Sinodit në Vatikan, përfaqësuesit e 40 universiteteve nga e gjithë bota, pjesëmarrës në Kongresin botëror të Fondacionit papnor “Scholas Occurrentes”, mbledhur nga e premtja e deri dje në Romë. Tema e sivjetme ishte “Ndërmjet universitetit e shkollës, mur apo urë”. Gjatë Kongresit u njoftua për themelimin e katedrave Scholas, hapësira akademike për t’u thelluar në pedagogjinë e Papës Françesku, i cili, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, e pati promovuar organizatën.

Na duhet dialog e takim

Takimi i djeshëm me Atin e Shenjtë qe i gjallë, plot pyetje e përgjigje. Papa Françesku vlerësoi së pari, atmosferën komunikative, që përbën sfidë për këtë botë:

“Kur popujt ndahen, familjet ndahen, miqtë ndahen: në ndarje gjejmë vetëm armiqësi, përfshirë urrejtjen; ndërsa, kur bashkohemi, krijojmë miqësi shoqërore, miqësi vëllazërore; e i dhurojmë njëri-tjetrit kulturën e takimit, e cila na mbron nga çdo lloj kulture hedhurinash”.

Dhënia e çmimeve dhe dëshmitë

Papa, si gjithmonë në këto raste, hyri në konfidencë me të rinjtë e pranishëm. Disa aktorë të njohur si Richard Gere, Salma Hayek dhe George Clooney morën çmime për impenjimin e tyre në favor të të rinjve të periferive. Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë që ka përkatësia e njerëzve, identiteti i tyre, pjesëmarrja në një grup, në familje, në një organizatë, por edhe gjuha e gjesteve: një përkëdhelje, një buzëqeshje. Papa kërkoi gjeste konkrete për të ndalur agresionet, nga bullizmi tek lufta e tmerret e saj:

“Në dialog të gjithë fitojnë, askush nuk humb. Në çdo diskutim, njëri fiton e tjetri humb, por në të vërtetë humbin të dy. Dialogu është aftësia për të dëgjuar, do të thotë ta vesh veten në vend të tjetrit, të ndërtosh ura”.

Bota, sipas Papës Françesku, ka nevojë ta ulë nivelin e agresivitetit e të kultivojë ëmbëlsinë, aftësinë për ta dëgjuar tjetrin e për të ecur bashkë me të.

Libri me përgjigjet e Papës për të rinjtë

Pasditja u karakterizua edhe nga lutja e përfaqësuesve fetarë e nga paraqitja e një platforme digjitale, ku të rinjtë do t’i bëjnë pyetje Papës. Përgjigjet e Françeskut do të botohen më pas nga Mondadori, në një libër, që do të dalë në tetor ose në nëntor. Nuk mungoi as muzika e orkestrës “Scholas arts”, që në fund i dhuroi Papës një violinë të lashtë. Gjithashtu, u njoftua se loja e ardhshme e futbollit për paqen do të bëhet në Argjentinë më 10 korrik. E qeveria e vendlindjes së Atit të Shenjtë siguron ndërkaq, se do të miratojë një ligj shtetëror në favor të Scholas Occurrentes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.