2016-05-27 14:42:00

Në moshën 100-vjeçare, ndërroi jetë kard. Capovilla, ish-sekretar i Gjonit XXIII


Ndërroi jetë dje në klinikën Palazzolo të Bergamos, kardinali italian Loris Francesco Capovilla, ish-sekretar i veçantë i Papës Gjoni XXIII. Prelati ishte 100 vjeç. Të gjithë e mbajnë mend për mirësinë e thjeshtësinë e tij. Në telegramin e tij me këtë rast, Papa Françesku i shpreh ngushëllimet krejt dioqezës, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre, që e vlerësonin lart veprimtarinë e çmuar të kardinalit. “Mendoj me përzemërsi për këtë vëlla të dashur, që në jetën e tij të gjatë e të frytshme, dëshmoi me gëzim Ungjillin dhe i shërbeu me përvuajtëri Kishës, fillimisht në dioqezën e Venedikut, pastaj me dashuri plot përkujdesje pranë Papës shenjt, Gjoni XXIII, kujtimin e të cilit e ruajti me zell, duke e interpretuar si jo më mirë. Në shërbimin e tij ipeshkvnor, sidomos në Kieti-Vasto dhe në Loreto, qe gjithmonë bari krejtësisht i përkushtuar për të mirën e meshtarëve dhe të gjithë besimtarëve, me besnikëri të patundur ndaj busullës së Koncilit II të Vatikanit. I lartoj lutjen time Zotit që, me ndërhyrjen e Virgjërës Mari dhe të Shën Markut ungjilltar, ta pranojë këtë shërbëtor besnik në ngazëllimin e në paqen e amshuar e, me gjithë zemër, iu jap atyre, që vajtojnë për humbjen e tij, bekimin tim apostolik”, përfundon telegrami i Papës Françesku.

Kardinali Capovilla u lind në Pontelongo të Padovës, më 14 tetor 1915. Shugurohet meshtar në Venedik më 23 maj 1940. Bëhet kapelan i burgut të të miturve dhe i Spitalit infektiv. Gjatë Luftës II Botërore, shërbimin ushtarak e kryen në aviacion. Me kapitullimin e Italisë, më 8 shtator 1943, ndodhej në aeroportin “Natale Palli” të Parmës, ku bëri ç’ishte e mundur për të shmangur internimin e aviatorëve në Gjermani. Në vitin 1945, zgjidhet si predikatar i së dielës në Radio Venezia. Në vitin 1949, është drejtor i së përjavshmes dioqezane “Zëri i Shën Markut” dhe redaktor i faqes së gazetës “Avvenire d’Italia” kushtuar Venedikut. Regjistrohet si gazetar në vitin 1950.

Për mëse 10 vjet kryen detyrën e sekretarit të veçantë të Patriarkut të Venedikut, kardinalit Angelo Giuseppe Roncalli, i cili zgjidhet Papë më 28 tetor 1958, duke marrë emrin Gjoni XXIII. I qëndron përkrah gjatë gjithë veprimtarisë, por sidomos është dëshmitar i intuitës së jashtëzakonshme të Papës, i cili papritmas, e ftoi Kishën në Koncilin II të Vatikanit, në vitin 1959.

Pas vdekjes së Papës - shenjt i ardhshëm - më 3 qershor 1963, pasardhësi i tij Pali VI e emëron ekspert konciliar, duke i konfirmuar edhe detyrën e prelatit të paradhomës. Më 26 qershor 1967 e emëron kryeipeshkëv të Kieti-Vastos, duke e shuguruar ipeshkëv më 16 korrik, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Vetë Papa breshian e emëroi më pas, më 25 shtator 1971, prelat të Loretos dhe legat papnor për Shenjtëroren lauretane, duke i caktuar selinë titullare të Mesembria-s, e cila pati qenë pikërisht e kryeipeshkvit Roncalli (më pas Papë) nga viti 1934 deri më 1953.

Kardinali Capovilla del në pension më 10 dhjetor 1988 e tërhiqet në fshatin e lindjes së Roncalli-t, Sotto il Monte (Nën Mal). Aty i kushtohet ruajtjes së kujtimit të shenjtit papë dhe promovimit të figurës e të veprës së tij. Kujdeset për botimin e shkrimeve kryesore të Gjonit XXIII: “Gazeta e shpirtit”; trilogjia “Ky është misteri i jetës sime, “Gjoni XXIII, një shenjt në famullinë time” dhe “Do të quhem Gjon”; përmbledhjet “Letra për familjarët” dhe “Letra 1958-1963”. Është autor i shumë vëllimeve për jetën dhe veprat e Papës bergamask, të cilëve u duhen shtuar qindra doracakë dhe artikuj në gazeta e revista.

Papa Françesku e krijon kardinal në Koncistorin e 22 shkurtit 2014, duke i caktuar kishën titullare të Shën Marisë në Trastevere. Për shkak të moshës së shtyrë, nuk është i pranishëm, por i dorëzohet kësula dhe unaza kardinalore në shtëpinë e tij, më 1 mars 2014, nga i dërguari i Papës Françesku, kardinali dekan Angelo Sodano. Me vdekjen e tij, Kolegji kardinalor përbëhet nga 213 kardinaj, prej të cilëve 114 me të drejtë vote dhe 99 pa të drejtë vote.








All the contents on this site are copyrighted ©.