2016-05-26 16:05:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: jepuni për të pirë të eturve


Në emisionin e sotëm, në kuadrin e Vitit të Mëshirës, do të vijojmë t’ju flasim pikërisht për veprat e mëshirës. Sot, “jepuni për të pirë të eturve”, sipas Besëlidhjes së Vjetër

         Krejt historia e njerëzimit karakterizohet nga marrëdhëniet e dyfishta me ujin. Nga njëra anë, uji përfaqëson një faktor të pazëvendësueshëm për jetën, për lindjen e zhvillimin, nga ana tjetër, mund të jetë armik nga i cili duhet të mbrohemi, mjafton të mendojmë për përmbytjet, që nganjëherë, shkaktojnë edhe viktima.

         Ja përse ky element i çmuar ka zgjuar interesin e njeriut që nga zanafilla e botës. Njerëzimi i ka atribuar ujit kuptime të ndryshme, nga të cilat, prej shekujsh, kulturat e fetë kanë nxjerrë parime, mësime, rituale e besime. Uji, herë i mirë e herë katastrofik, por gjithnjë purifikues, lidhet ngushtë me jetën e njeriut e me historinë e shëlbimit të tij. Bibla hapet me një imazh të jashtëzakonshëm të Shpirtit të Zotit, që ndjehet mbi ujra në formën e puhisë dhe mbyllet me vizionin e një lumi prej uji të gjallë, që rrjedh nga froni i Zotit e i Qengjit. Ndërmjet këtyre ngjarjeve, ndjekin njëra-tjetrën një seri ndodhish, që karakterizohen nga nevoja për ujë, element themelor për jetën, sidomos në tokën ku banon populli i Izraelit, tokë e thatë me zona shkretëtire: “E toka, në të cilën do të hysh për ta bërë pronë, nuk është porsi toka e Egjiptit, prej së cilës dole, ku, kur hidhje farën, të duhej ta lagie duke i prirë ujit me këmbë, siç laget kopshti; është tokë malore e luginore që e pret shiun nga qielli” (Lp 11,10-11), shkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë.

         Pra, tema e ujit e përshkon si fill i artë krejt historinë e Izraelit dhe lidh ndërmjet tyre krijimin, ndodhitë e patriarkëve, daljen nga Egjipti, dhuratën e Torah dhe shpresën në ringjallje deri në vizionin e Jeruzalemit qiellor. Kërkimi dhe ruajtja e ujit në Kanaan ishin të domosdoshme e vërtet hapja e puseve njihet që nga koha e patriarkëve: “Shërbëtorët e Izakut gropuan në luginë e gjetën aty një pus me ujë të gjallë” shkruhet që në Librin e Zanafillës (26,19). Në rrugën e Izraelit në shkretëtirë, pas daljes nga Egjipti, mungesa e ujit shkaktoi rebelim (shih Es 15,22-27). Edhe Jeremia flet për vështirësi të mëdha për shkak të thatësirës: “Judeja u mbulua në zi, qytetet e saj rënkojnë, të mekura rrafsh ranë përdhe, në qiell arrin e Jerusalemit vigma!” (Jer 14,2). Ndërsa, në kohën e mbretit Akab, thatësira e madhe e bindi Elinë profet të ndërhynte në favor të popullit (shih 1 Mbr 18). Sigurimi i ujit ishte jetësor për Izraelin, si për qyetet, ashtu edhe për fushimin gjatë betejave e për rastet e rrethimeve nga ana e armiqve. Rreziku i etjes ishte gjithnjë pranë, aq sa Davidi në betejën kundër filistejve në Pas-Dammìm shprehu këtë dëshirë: “Oh sikur të gjendej dikush të më jepte të pi ujë nga pusi që është te dera e Betlehemit” (2 Sam 23,15). Pavarësisht se më pas nuk e pi, por ia kushton Zotit. E gjithë historia e Izraelit përbëhet nga periudha të mëdha zie shoqëruar me thatësirë.

         Është besnikëria ndaj Aleancës me Zotin ajo, që garanton gjithnjë shiun, si shenjë bekimi, ndërsa thatësira lidhet me mosbindjen, pra, me mallkimin: “Nëse do të jetoni sipas ligjeve të mia dhe nëse do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i shtini në veprim ato, do t’ju jap shira në stinën e tyre dhe toka do të japë prodhimet e veta dhe pemët do të mbushen me fruta”, thotë Zoti në Librin e Levitikut (3-4).

         Kushtet e klimës së Palestinës, tokë barinjsh me shumë thatësirë e pak shi, na bëjnë ta kuptojmë mirë se t’i japësh të pijë të eturit është diçka që s’mund të ndahet nga çdo rregull e normë elementare mikpritjeje, aq sa në Besëlidhjen e Vjetër njerëzit nxiten t’i japin për të pirë edhe armikut: “Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit që i mblodhën njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës… Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi të pijë; kështu grumbullon mbi kokë të tij prush e Zoti do ta shpaguajë” (Fu 25,1.21-22).

         Përvoja e bijve të Izraelit, si ajo tokësore, ashtu edhe ajo shpirtërore, u thotë se ujin duhet ta marrin përditë si simbol të jetës së dhuruar prej Zotit. Dhurata e ujit do të jetë plotësisht e kuptueshme vetëm në kohët mesianike, kur Jezusi i ftoi ta ndiqnin ata, që kishin etje e të besonin në Atë, që ishte uji i gjallë. Por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.