2016-05-26 11:53:00

Papa për Katholikentag: t’u bëhet vend në Kishë të varfërve e të shtypurve


U hap dje në Lipsia të Gjermanisë, edicioni i 100-të i Katholikentag, pra i “Ditës së katolikëve gjermanë”, kremtimet e së cilës do të përfundojë të dielën, më 29 maj. Papa Françesku, në një videomesazh për pjesëmarrësit, shpreh vlerësimin e tij për këtë nismë. “Ju – shkruan Ati i Shenjtë – keni marrëdhënie të mira me të krishterët e traditave të tjera dhe jepni dëshmi të gjallë për Krishtin me impenjimin tuaj konkret në favor të nevojtarëve”.

         Motoja e Ditës së organizuar nga Komiteti i katolikëve gjermanë çdo dy vjet, këtë vit është “Ja njeriu”. Moto, thekson Papa në mesazh, që tregon mjaft qartë çfarë ka vërtet rëndësi në jetë:

         “Nuk është veprimtaria apo suksesi i jashtëm ajo që ka rëndësi, por aftësia për t’u ndalur, për ta kthyer shikimin, për të qenë të kujdesshëm ndaj tjetrit e për t’i ofruar çfarë i mungon vërtet”.

         Çdo njeri, vijon Papa, dëshiron paqe, ka nevojë për bashkëjetesë paqësore, por kjo mund të arrihet vetëm kur kërkojmë edhe paqen e brendshme, në zemrat tona. Shumë njerëz jetojnë gjithnjë me nxitim, duke mos e shijuar botën. Përkundrazi, duhet t’i kushtojmë kohë rivendosjes së harmonisë me botën e, përmes lutjes, afrimit gjithnjë e më të madh me Krijuesin e saj:

         “Është ky familjaritet me Zotin, që frymëzon edhe mëshirën tonë. Ashtu si do Ati Qiellor, ashtu duan edhe bijtë e tij. Ashtu si është i mëshirshëm Ai i Lumi, ashtu jemi të thirrur të bëhemi edhe ne të mëshirshëm me njëri-tjetrin”.

         “Ja njeriu” nënvizoi Ati i Shenjtë, na kujton shpesh personin e keqtrajtuar, që ndeshim në shoqëritë tona:

         “Shohim si e gjykojnë të tjerët vlerën e jetës së tij dhe e nxisin, në pleqëri e në sëmundje, të vdesë sa më shpejt. Shohim si poshtërohen njerëzit, si përplasen andej e këndej, si privohen nga dinjiteti, sepse nuk kanë punë, ose janë refugjatë”.

         Ati i Shenjtë uron që pjesëmarrësit në takimin e Lipsies dhe të gjithë besimtarët e Gjermanisë t’i japin gjithnjë e më shumë hapësirë në jetë zërit të të varfërve dhe të të shtypurve, duke mbështetur njëri-tjetrin e duke shkëmbyer përvojën në këtë drejtim. Së fundi, Papa Françesku i përgjërohet Shpirtit Shenjt që t’u japë të gjithëve guximin e forcën për të qenë dëshmitarë të asaj shprese, që është Zoti për krejt njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.