2016-05-25 16:58:00

Papa: lutja është gjithnjë e frytshme, por jo shkop magjik


I krishteri nuk duhet të ndalet e duhet të lutet gjithmonë, edhe në çastet më të vështira, sepse feja ruhet duke mbajtur marrëdhënie të vazhdueshme me Zotin, i cili nuk na i plotëson kërkesat me “shkop magjik”. Kështu tha Papa Françesku në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, nga ku u bëri të gjithëve ftesë të marrin pjesë nesër në meshën dhe në procesionin e festës së Korpit të Krishtit.

         Të trokasim në zemrën e Hyjit pa u lodhur kurrë, duke e ditur se prej andej, të mirat që kërkojmë do të na vijnë si dhuratë e jo si magji, madje do të na jepet edhe më shumë nga ç’kemi kërkuar. Papa Françesku iu kthye sekretit të lutjes, burim mëshire e sidomos, forcë për fenë, e cila konsolidohet pikërisht duke iu drejtuar vazhdimisht Zotit.

Lutje që “s’lë rehat”

         Për të shpjeguar sa e rëndësishme është këmbëngulja në marrëdhëniet e besimtarit me Zotin, në Ungjill, Jezusi tregon shembëlltyrën e gjykatësit dhe të vejushës. I pari, i paskrupullt edhe ndaj qiellit; e dyta, grua e vetmuar, praktikisht e padukshme për ligjin e kohës e madje, vërejti Françesku, jo vetëm për atë kohë:

        “Një vejushë e shkretë, aty, e vetme, askush nuk e mbron, mund ta injoronin e madje, të mos i jepnin të drejtë: kështu edhe jetimi, kështu edhe i huaji, kështu emigranti. Njësoj! Në atë kohë, kjo ndjehej fort. Para indiferencës së gjykatësit, vejusha përdor armën e saj të vetme: vazhdon ta bezdisë me këmbëngulje… E pikërisht me këtë këmbëngulje, ia arriti qëllimit”.

Zoti na jep përgjigje e madje, menjëherë

         Historia përfundon me gjykatësin, që i rraskapitur nga këmbëngulja e vejushës, ia plotëson kërkesën. Në këtë njeri të ligjit, theksoi Papa, nuk ka asnjë impuls mëshire. Ai nuk e dëgjon zërin e ndërgjegjes, përgjigjet vetëm sepse është i bezdisur. Pra, vërejti Ati i Shenjtë, nëse vejusha, me këmbënguljen e saj, arriti ta përkulë gjykatësin e pandershëm, Zoti, që është Atë i mirë e i drejtë, do të bëjë edhe më shumë. Ja pra, pse duhet të lutemi pa u lodhur:

         “Të gjithë provojmë lodhje e shkurajim, sidomos kur lutja na duket e pafrytshme. Por Jezusi na siguron: në ndryshim nga gjykatësi i pandershëm, Zoti u përgjigjet menjëherë bijve të vet, pavarësisht se kjo nuk do të thotë se e bën në kohën e në mënyrat që do të donim ne. Lutja nuk është shkop magjik! Nuk është shkop magjik! Ajo na ndihmon ta ruajmë fenë në Zotin dhe ta lëshojmë veten në duart e Tij edhe kur nuk ia kuptojmë vullnetin”.

Lutja “modelon” çdo kërkesë

         Një shembull i madh për këtë na e jep vetë Jezusi, gjatë lutjes së tij plot ankth në Kopshtin e Gjetsemanit. Ati Qiellor ia plotëson dëshirën për të shpëtuar nga vdekja, por “rruga për t’ia arritur kësaj – tha Papa – kalon përmes vetë vdekjes”. Pra, s’ka rëndësi koha dhe mënyra me të cilën Zoti e dëgjon lutjen tonë, por marrëdhëniet që krijojmë me Të. Në Kopshtin e Ullinjve, Jezusi e përfundon lutjen duke thënë: “Jo si dua unë, por si do ti”:

         “Objekti i lutjes kalon në plan të dytë; para së gjithash, kanë rëndësi marrëdhëniet me Atin Qiellor. Ja ç’bën lutja: e shndërron dëshirën dhe i jep formë sipas vullnetit të Hyjit, sido që të jetë ai, sepse kush lutet dëshiron së pari bashkimin me Zotin, me Atë, që është Dashuri e mëshirshme”.

Kini kujdes

         Ati i Shenjtë meditoi së fundi për pyetjen pa përgjigje me të cilën Jezusi e përfundon shembëlltyrën: “Po Biri i Njeriut, kur të vijë, a do të gjejë fe mbi këtë tokë?”:

         “Kjo pyetje na paralajmëron të gjithëve: nuk duhet ta ndalim lutjen, pavarësisht se na duket pa përgjigje. Është lutja ajo, që e ruan fenë, pa të feja lëkundet! T’i kërkojmë Zotit një fe, që shndërrohet në lutje pa pushim, këmbëngulëse, si ajo e vejushës së shembëlltyrës, fe që ushqehet nga dëshira e ardhjes së [Krishtit]”.

Ftesë në procesionin e Korpit të Krishtit

         Në përfundim të audincës së përgjithshme, Papa Françesku ftoi romakët dhe shtegtarët të marrin pjesë në kremtimin e festës së Korpit të Krishtit. Nesër në orën 19.00, Papa do të kremtojë meshën në sheshin e Shën Gjonit në Lateran dhe pastaj do të kryesojë procesionin deri në Bazilikën e Zojës së Madhe. Për Atin e Shenjtë, ky do të jetë “akt solemn publik i fesë dhe i dashurisë për Jezusin, realisht i pranishëm në Eukaristi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.