2016-05-24 12:51:00

Papa ia kushton meshën të krishterëve kinezë. Shenjtëria është udhë e përditshme


Të ecim në jetë, një hap çdo ditë drejt shenjtërisë, duke qenë të vetëdijshëm për praninë e Zotit: kjo qe këshilla e Papës Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, të cilën Ati i Shenjtë ia kushtoi të krishterëve kinezë, që sot kremtojnë Zojën e Sheshanit, Zojën Ndihmëtare. Pikërisht në këtë ditë, e gjithë Kisha lutet për të krishterët në Kinë e edhe vetë Papa Bergoglio e përmendi këtë në Engjëllin e Tënzot të së dielës. Kujtojmë se kjo Ditë u themelua nga Benedikti XVI në vitin 2007.

Por le të kthehemi në homelinë e meshës së sotme të mëngjesit. Shenjtëria nuk blihet, nënvizoi Ati i Shenjtë. As mund të fitohet, edhe sikur të vemë në lojë forcat më të mira njerëzore. Shenjtëria arrihet ditë për ditë, hap pas hapi. Është rrugë, së cilës nuk mund t’i mungojnë katër elemente të pazëvendësueshme: guximi, shpresa, hiri, kthimi i zemrave kah Zoti.

Rrugë guximi

Papa Françesku komentoi leximin e sotëm liturgjik nga Letra e parë e Shën Pjetrit, që e quajti “traktat i vogël për shenjtërimin e jetës”. Sipas Atit të Shenjtë, të bëhesh shenjt do të thotë të ecësh si duhet, në praninë e Zotit, në atë mënyrë, që askush nuk mund të të qortojë:

“Kjo rrugë: shenjtëria është rrugë, shenjtëria nuk mund të blihet e as të shitet. As mund të dhurohet. Shenjtëria është udhë në praninë e Zotit, që duhet ta bëj unë: nuk mund ta bëjë ndokush tjetër në emrin tim. Unë mund të lutem që dikush tjetër të bëhet shenjt, por rrugën duhet ta bëjë ai, jo unë. Të ecim në praninë e Zotit, në mënyrë të paqortueshme. E sot do të përdor disa fjalë, që na mësojnë si është shenjtëria e përditshme, ajo shenjtëri – të themi – anonime. Së pari: guximi. Rruga drejt shenjtërisë kërkon guxim”.

Shpresa dhe Hiri i Tënzot

Mbretëria e Qiellit për të cilën flet Jezusi, vijoi Papa, është për guximtarët, por guximi frymëzohet nga shpresa, fjala e dytë e rrugës, që çon drejt shenjtërisë. Guximi, u dha jetë fjalëve Françesku, shpreson “në një takim me Jezusin”. Ndërsa elementi i tretë vihet në dukje nga Letra e Shën Pjetrit, kur shkruan: “nguleni tërë shpresën tuaj në atë hir”:

“Shenjtërinë nuk e arrijmë dot vetëm. Jo, është hir. Të jemi të mirë, të jemi shenjt, të bëjmë çdo ditë një hap përpara në jetën e krishterë, është hir i Zotit e duhet t’ia kërkojmë. Guximi… rruga… Rrugë, që duhet bërë me guxim, me shpresë, të gatshëm për ta pranuar Hirin e Tënzot. Është shumë i bukur kreu XI i Letrës drejtuar Hebrenjve, lexojeni. Tregon për rrugën e etërve tanë, të njerëzve të parë të thirrur nga Zoti. E tregon si ecën përpara. E për atin tonë, Abrahamin, thotë: ‘Doli, pa ditur ku shkonte’. Por, me shpresë”.

T’i kthejmë zemrat kah Zoti përditë

Në Letrën e tij, shën Pjetri, shpjegoi Papa, vë në dukje rëndësinë e një elementi të katërt. Kur i fton besimtarët të mos “u përshtaten dëshirave të mëparshme”, i nxit ta ndryshojnë shpirtin, duke punuar gjithnjë e vazhdimisht brenda vetes:

“Kthimi i zemrave, çdo ditë: ‘Eh more atë, për të ndryshuar, duhet të bëj pendesë, t’i bie pak vetes me shkop…’. ‘Jo, jo, jo: kthesa të vogla. Nëse je në gjendje të mos flasësh keq për tjetrin, je në rrugë të mbarë për t’u bërë shenjt’. Është kaq e thjeshtë! Po unë e di që ju s’flisni kurrë keq për të tjerët, apo jo….? Gjëra të vogla… ‘Po kam tepër dëshirë ta kritikoj shokun e punës, që e kam afër: kafshoje pak gjuhën’. Do t’iu dhembë pak, por shpirti juaj do të jetë më i shenjtë. Në këtë udhë, asgjë madhështore, asnjë flijim; jo, është krejt e thjeshtë. Rruga e shenjtërisë është e thjeshtë. Por mos u kthe mbrapsht, shko gjithnjë përpara, me burrëri e qëndresë”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.