2016-05-24 10:57:00

Katolikët kinezë kremtojnë Zojën e Sheshanit


Më 24 maj kremtohet festa liturgjike e Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të veçantë në shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. Katolikët kinezë, pra, më 24 maj kremtojnë dhe lusin Zojën e Bekuar të Sheshanit. Kisha katolike u kërkoj të gjithë besimtarëve të luten që, nën mbrojtjen e Nënës Ndihma e të Krishterëve, katolikët e Kinës të vijojnë të besojnë, të shpresojnë, të duan e të jenë, në çdo rrethanë, tharm i bashkëjetesës së harmonishme ndërmjet bashkëqytetarëve të tyre.

Të mërkurën e 22 majit 2015, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku e kujtoi Zojën e Sheshanit, Zojën Ndihma e të Krishterëve, që nderohet e lutet nga kinezët në shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai:

“Në shtatoren, që lartohet mbi Shenjtërore,

Maria e ngre lart të Birin Jezus,

duke ia paraqitur botës me krahë hapur,

në një gjest dashurie e mëshire.

T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë,

që të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm

të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre

e të jetojnë shpirtërisht të bashkuar

me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

Me rastin e ditës së kremtimit të festës së Zojës së Sheshanit, në Kinë, 24 maj 2013 Papa Françesku kërkoi :“..T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë, që të jenë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre e të jetojnë të bashkuar”

Më 24 maj 2013 Papa Françesku i pati drejtuar këtë lutje Zojës së Sheshanit

“O Zoja jonë e Sheshanit,

 ndihmoi katolikët kinezë!

Bëji impenjimet tyre të vështira,

përherë e më të çmuara para syve të Zotit

e premto të rritet gjithnjë më shumë

dashuria e pjesëmarrja e Kishës në Kinë,

në udhën e Kishës universale”.

Ndërsa më 24 maj 2008, Papa Benedikti XVI i drejtohej Zojës së Sheshanit me këtë lutje:

“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë, e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve” në Shenjtëroren e Sheshanit, nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë, po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.
Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.

Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit, në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar, duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin, deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.

Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin, që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpinë.

O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve, jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë, sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.

O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan, të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd, ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.
Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie, duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.

Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.