2016-05-23 14:50:00

Në Engjëllin e Tënzot, Papa përshëndeti ortodoksët shqiptarë nga Berati


“Në veçanti, përshëndes me gjithë zemër besimtarët ortodoksë të Mitropolisë së Beratit, në Shqipëri, dhe i falenderoj për dëshminë e tyre ekumenike”.

Në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përshëndeti veçanërisht shqiptarët, duke ngritur lart e duke e dhënë si shembull ekumenizmin praktik të të krishterëve në vend, sidomos në jug të Shqipërisë. Vetëm pak kohë më parë, Ati i Shenjtë priti kreun botëror të bektashinjve, duke e vënë theksin edhe në dialogun ndërfetar të popullit shqiptar, të cilin shpesh e jep si model.

Në festën e Trinisë Shenjte, Papa Françesku ftoi të impenjohemi përditë për bashkimin, ngushëllimin e mëshirën ndaj njerëzimit të plagosur nga padrejtësitë, nga urrejtja e nga lakmia. Pastaj, një lutje e veçantë për Takimin humanitar botëror në Stamboll, i cili filloi sot, me pjesëmarrjen edhe të një delegacioni vatikanas, kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin. Së fundi, Ati i Shenjtë u shprehu afërsinë shpirtërore katolikëve të Kinës, që më 24 maj, pra nesër, kremtojnë festën liturgjike të Zojës “Ndihmë për të krishterët”.

Në misterin e Trinisë Shenjte gjejmë “marrëdhëniet ndërmjet Jezusit, Atit dhe Shpirtit Shenjt”, shpjegoi Papa në katekizmin e tij:

“Shpirti na udhëheq në situatat e reja jetësore, me vështrimin e kthyer nga Jezusi e, njëkohësisht, të hapur për ngjarjet e për të ardhmen. Ai na ndihmon të ecim në histori, të rrënjosur thellë në Ungjill, me besnikëri plot dinamizëm ndaj traditave dhe zakoneve tona”.

Por misteri i Trinisë Shenjte na zbulon edhe marrëdhëniet tona me Atin, Birin e Shpirtin Shenjt, vijoi Papa:

“Kjo ‘familje hyjnore’ nuk mbyllet në vetvete, por është e hapur, zbulohet përmes krijimit e historisë dhe hyn në botën e njerëzve, duke i ftuar të gjithë të bëjnë pjesë në të. …Horizonti trinitar i bashkimit na mbështjell të gjithëve… e na nxit të jetojmë në dashuri e në vëllazëri, të sigurtë se aty ku ka dashuri, aty është edhe Zoti”.

 Solidariteti dhe dashuria e ndërsjelltë duhet të mbretërojnë së pari, në bashkësitë kishtare, këshilloi Papa, por edhe në çdo marrëdhënie shoqërore, që nga familja tek miqësitë e në ambientin e punës. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë besimtarët të impenjohen në jetën e përditshme për të qenë tharmi i bashkimit, i ngushëllimit dhe i mëshirës:

 “Në këtë mision, mbështetemi nga forca, që na dhuron Shpirti Shenjt: ajo e mjekon korpin e njerëzimit të plagosur nga padrejtësia, nga shtypja, nga urrejtja dhe nga lakmia”.

Pas lutjes mariane, Papa Françesku foli për Takimin e parë humanitar botëror, organizuar nga OKB-ja në Stamboll, për të përballuar gjendjet dramatike, shkaktuar nga konfliktet, nga problemet e ambientit dhe nga varfëria e skajshme:

“T’i shoqërojmë me lutje pjesëmarrësit e këtij takimi, që të impenjohen plotësisht për realizimin e objektivit kryesor humanitar: t’i shpëtohet jeta çdo njeriu, pa asnjë përjashtim, në veçanti të pafajshmëve e të pambrojturve”.

Më pas, Ati i Shenjtë shprehu afërsinë e tij shpirtërore për besimtarët katolikë në Kinë, sidomos për të devotshmit e Zojës “Ndihmë e të krishterëve”, që nderohet në shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. Festa e saj kremtohet nesër:

“Në këtë Vit të Mëshirës, katolikët kinezë, së bashku me ata që ndjekin tradita të tjera fisnike fetare, u kthefshin në shenjë konkrete dashurie e pajtimi. Në atë mënyrë, ata do të nxisin krijimin e kulturës së vërtetë të takimit dhe të harmonisë së krejt shoqërisë, atë harmoni, aq të dashur për shpirtin kinez”.

E në fund, homazhi i Papës për një meshtar shembullor, Francesco Maria Greco, prift dioqezan kalabrez, themelues i Motrave Punëtore të vogla të Zemrave të Shenjta, i cili u shpall të shtunën i Lum, në qytetin e Acri-t, në Itali.








All the contents on this site are copyrighted ©.