2016-05-20 00:00:00

Shenjtorët e javës 22 – 29 maj


E diel 22 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Trinisë Shenjte. Gjithnjë më 22 maj kalendari përkujton edhe shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.

Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

Të hënën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar dhe shën Efebio-n Deziderio. Liturgjia e ditës na fton mësojnë në shkollën e Jezusit të duam deri në flijimin e vetvetes e provojmë përqafimin e përmallshëm të dashurisë së Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt Zot.

Të martën më 24 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë e Bekuar nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po në këtë ditë, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini.

Të mërkurën më 25 maj, kalendari përkujton shën Bedën, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, shën Marinë Madalenë de Paci, virgjër dhe shën Gregorin VII, papë. Liturgjia e ditës u tërheq vëmendjen të krishterëve të mos shkëputen nga Krishti, sepse pa Të nuk janë më të zotë për asgjë. Nëse qëndrojmë të bashkuar me Krishtin, edhe sprovat më të rënda të jetës japin fryte të mrekullueshme.

Të enjten më 26 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Filip Nerin, meshtar. Shenjti i oratoreve të Kishës, ku gjithnjë janë mbledhur fëmijët për të mësuar e për t’u argëtuar, na jep shembullin e jetës për çdo meshtar, që ka për detyrë punën delikate të edukimit të brezit të ri të krishterë. Po këtë ditë, përkujtohen shën Eleuteri, papë, shën Lamberti i Vençes dhe shën Simetri, martir.

Të premten më 27 maj, kalendari kishtar përkujton shën Agustinin, kryeipeshkëv i Kanterburit, e shën Brunon Restituto. Liturgjia e ditës na fton të mos e humbasim identitetin e krishterë, e të kujtojmë urdhërimin e Jezusit: duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë ju, deri në flijimin e jetës.

Të shtunën më 28 maj, kalendari kishtar përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit, shën Emilianin apo Vilin e të Lumen Maria Bartolomea Banjezi. Kur shohim shenjtorët, që shpesh martirizohen, nuk mund të mos pyesim: “A është e mundur, që ata, të cilët mbartin mesazhin ungjillor të dashurisë, të urrehen e të persekutohen? Është shumë e mundur madje! Mjafton të kujtojmë Krishtin. Atij i përkasim e jo botës.

Të dielën e ardhshme më 29 maj, Kisha katolike do të kremtojë festën e Korpit e të Gjakut të KrishtitSolemniteti i Korpit e Gjakut është Eukaristia Shenjte, gostia e Pashkëve, në të cilën vet Krishti, duke realizuar sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të ofruara si ushqim e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes flijimit të tij shëlbimprurës. (nga Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287)

Gjithnjë  më 29 maj, kalendari na kujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.