2016-05-20 15:56:00

Papa: nevojitet pëlqimi i Vatikanit për institutet dioqezane rregulltare


Që të jetë e vlefshme ngritja e një Instituti dioqezan të jetës së shuguruar, që nga 1 qershori, do të jetë i nevojshëm konsultimi paraprak i Selisë së Shenjtë. Nëse jo, mund të anulohet dekreti për formimin e institutit. Kështu vendosi Papa Françesku me një “Rescriptum”, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Ky dokument ndjek mendimin e shprehur nga Këshilli Papnor për Tekstet Legjislative.

Sot u njoftua se ky vendim është marrë, duke u nisur nga vetëdija se “çdo Institut i ri i jetës rregulltare, edhe kur del në dritë e zhvillohet në gjirin e një Kishe të veçantë, është dhuratë për gjithë Kishën”. Gjithashtu, Kongregata për Institutet e Jetës së Shuguruar Rregulltare dhe për Shoqëritë e Jetës Apostolike sinjalizoi nevojën që, në nivelin dioqezan, të mos ngrihen Institute të reja pa e shoshitur mjaftueshëm origjinalitetin e karizmës, që përcakton tiparet e veçanta të shugurimit të personave, që marrin pjesë në të. Sipas Kongregatës, ka rëndësi të shihet mirë baza ungjillore dhe mundësia reale e zhvillimit të institutit. Të dëgjojmë sqarimet në intervistën me Sekretarin e Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, imzot Juan Ignacio Arrieta:

Papa saktësoi një nga normat e Kodit të së Drejtës Kanonike, nenin 579, sipas të cilit të gjithë ipeshkvijtë, në dioqezën e tyre, mund të ngrenë institute të jetës rregulltare, ose shoqëri të jetës apostolike. Tani, ipeshkvi, për t’i ngritur ato duhet të konsultojë më parë Selinë e Shenjtë. Me këtë Rescriptum, Papa thotë se ky konsultim është i detyrueshëm. Në rast të kundërt, ngritja e institutit dioqezan anulohet, është e pavlefshme. Risia e vetme është se e bëri këtë me një procedurë të shpejtë, me Rescriptum e jo me forma të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.