2016-05-20 12:41:00

Papa: mirëkuptim për mëkatarët, por kurrë të mos mohohet e vërteta


Kumtimi i së vërtetës së Zotit nuk duhet ndarë nga mirëkuptimi për dobësitë e njeriut. Kështu na mëson Jezusi në Ungjill, vuri në dukje sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar fjalët, që Krishti u thotë farisenjve për tradhtinë bashkëshortore. Ai, nënvizoi Ati i Shenjtë, e kapërcen këndvështrimin njerëzor, që e thjeshton tepër vizionin hyjnor, duke e shndërruar në një “një ekuacion rastesh”. Të pranishëm, në meshën e sotme, edhe tetë çifte, që kremtonin 50-vjetorin e martesës dhe një çift, që festonte 25-vjetorin.

Të vërteta, jo raste

         Ungjilli i ditës flet për kurthin, që farisenjtë i ngritën Jezusit, duke e pyetur nëse është e drejtë që burri ta ndajë gruan. Këta “teologë të shndritur”, ironizoi Papa, mendonin se zotëronin “gjithë shkencën dhe urtinë e Popullit të Zotit”. Jezusi del nga ky kurth, duke shkuar përtej, duke folur për “plotësinë e martesës”. E pati bërë këtë edhe në të kaluarën, me saducenjtë, për gruan që kishte pasur shtatë burra. Kur të ringjallet, pati thënë Jezusi, nuk do të jetë nusja e askujt, sepse në qiell askush nuk merr “grua apo burrë”. Në atë rast, shpjegoi Papa, Krishti i referohej “plotësisë eskatologjike të martesës”. Ndërsa me farisenjtë flet për “plotësinë e harmonisë së krijimit”. “Zoti i krijoi mashkull e femër”, vë në dukje, e të dy “do të jenë një gjë e vetme”:

         “Nuk janë më dy, por një gjë e vetme. Prandaj ‘njeriu të mos e ndajë atë, që Zoti e ka bashkuar’. Si në rastin e Leviratit (kur vdes burri, i vëllai ose një i afërt martohet me gruan e tij), ashtu edhe këtu, Jezusi përgjigjet me të vërtetën bindëse, me të vërtetën e qartë – kjo është e vërteta! – me plotësinë, që i qëndron kohës! E Jezusi nuk e vë në diskutim të vërtetën. E këta, ky grup i vogël teologësh të shndritur, e vinin gjithnjë në diskutim të vërtetën, duke e interpretuar sipas rastit. Ndërsa Jezusi nuk e diskuton të vërtetën. E kjo është e vërteta për martesën, nuk ka tjetër”.

E vërteta dhe mirëkuptimi

         Por Jezusi, vijoi Françesku, është i mëshirshëm e nuk ua mbyll derën mëkatarëve. Prandaj, nuk kufizohet vetëm ta kumtojë të vërtetën e Zotit, por u kërkon farisenjve t’i thonë ç’parashikon ligji i Moisiut. E kur ata përgjigjen se tradhtia bashkëshortore dënohet me ndarje, duke e përzënë gruan, Krishti përgjigjet se ajo normë u shkrua për shkak të “ngurtësisë së zemrës suaj”. Pa doreza, Jezusi dallon qartë të vërtetën dhe “dobësinë e njeriut”:

         “Në botën ku jetojmë, me këtë kulturën e së përkohshmes, realiteti i mëkatit është i fuqishëm. Por Jezusi, duke kujtuar Moisiun, na thotë: ‘Ekziston zemra e ngurtë, ekziston mëkati, por diçka mund të bëhet: falja, mirëkuptimi, shoqërimi, integrimi, shoshitja rast për rast… Por gjithnjë, e vërteta nuk shitet, kurrë!’ E Jezusi është në gjendje ta thotë këtë të vërtetë kaq të madhe e njëkohësisht, t’i kuptojë mëkatarët, të dobtit”.

Falja nuk është ekuacion

         Dy gjërat, që na mëson Jezusi, nënvizoi më tej Papa, janë e vërteta dhe mirëkuptimi. E këtë nuk e kuptojnë teologët, që e dinë veten tepër të mençur, sepse mbyllen në ekuacionin matematik “kjo po – kjo jo”. Janë të paaftë të hapin horizonte dashurie për brishtësinë njerëzore. Mjafton të shohim delikatesën me të cilën Jezusi trajton gruan mëkatare, që hebrenjtë donin ta mbysnin me gurë: “As unë s’të dënoj: shko e tani e tutje mos mëkato më”:

         “Jezusi na mësoftë ta pranojmë me zemër të vërtetën e po me zemër, t’i kuptojmë mirë e t’i shoqërojmë të gjithë vëllezërit në vështirësi. E kjo është dhuratë, këtë na e mëson Shpirti Shenjt, jo dijetarët e shndritur, që kanë nevojë ta thjeshtojnë plotësinë e Zotit në një ekuacion rastesh. Zoti na e dhashtë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.