2016-05-19 11:35:00

Më 19 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Celestinin V, papë.


Më 19 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Celestinin V, papë. Pjetri nga Morrone, meshtar, kaloi një jetë thellësisht shpirtërore duke jetuar si oshënar. Themeloi Urdhrin rregulltar të “Vëllezërve të Shpirtit Shenjt”, që më pas u quajtën “Celestinianët”, të cilët u miratuan nga Papa Urbani IV. Më vonë Pjetri nga Morrone themeloi vende tjera oshënarësh për njerëz që i përkushtonin tërë jetën meditimit të Fjalës së Zotit dhe lutjes. U zgjodh Papë gati tetëdhjetëvjeçar, pas konklavës që zgjati dy vjet, e si Papë e mori emrin Celestini V.

Ishte njeri i përshpirtshëm e i shenjtë, iu dashtë të ballafaqohej me interesa politike dhe ekonomike e me ndërhyrjet e trysnit e Karlit D’Anzhò. Duke hetuar manovrimet e keqpërdorimet që po organizoheshin me personin e tij, hoqi dorë nga detyra e Papës, e pas pak vdiq në vetmi në Fumone.

I kritikuar ashpër nga Dante Alighieri si “ai që nga frika dha dorëheqje nga detyra e madhe”, sot Celestini V Papë konsiderohet si një njeri me fe e fuqi shpirtërore të jashtëzakonshme, shembull heroik i përvujtërisë e largpamësisë.  Në një mësim të tij Çelestini V thotë: “Gjithçka kemi në jetë, është dhuratë e Zotit!”.  Në qendër të jetës së Çelestinit V ishte gjithnjë Krishti, ishte Kryqi. Kryqi, e pajisi Shenjtin me vetëdijen e qartë të mëkatit, por dhe të mëshirës së pafundme të Zotit.

Më 4 korrik 2010, ndërsa vizitonte Sulmonën, Papa Benedikti XVI i pati ftuar të gjithë të jetojnë thjeshtë, sipas shembullit të Shën Çelestinit V, sepse një jetë e tillë siguron lirinë e mendjes e të zemrës. Kishës i kërkoi ta shpallë me guxim Ungjillin edhe në çaste përndjekjesh; besimtarëve, të shkëputen nga shqetësimet e tepërta për gjërat e përditshme:
“… shpallja e qetë, e qartë dhe me guxim e mesazhit ungjillor, edhe në çaste përndjekjes, pa iu nënshtruar joshjes së modës, dhunës as imponimit; shkëputja nga shqetësimet për gjëra, si paraja e veshjet, duke u mbështetur fort në provaninë e Atit; vëmendja e kujdesi i posaçëm për të sëmurët në korp e në shpirt (cfr Lk 10, 5-9). Këto ishin edhe karakteristikat e papnisë së shkurtër e të vuajtur të Çelestinit V e këto, edhe karakteristikat e veprimtarisë misionare të Kishës në çdo epokë”, pati nënvizuar asokohe Papa Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.