

Mjaft më, pasuria s’mund të jetë në duart e pak njerëzve. Gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku mori shkas nga shembëlltyra e grykësit të pasur dhe e Lazrit të varfër për të denoncuar e për të vënë në dukje kontradiktat e botës.
“Jeta e këtyre dy njerëzve – theksoi Ati i Shenjtë – duket sikur ecën në dy binarë paralelë: kushtet e tyre janë diametralisht të kundërta e nuk përputhen aspak. Porta e shtëpisë së pasanikut është gjithnjë e mbyllur për varfanjakun, i cili rri jashtë e përpiqet të hajë ndonjë dromcë, që bie nga sofra e të pasurit. Ky vishet me luks, ndërsa Lazri mbulohet nga plagët; pasaniku shtron një banket të madh përditë, ndërsa Lazri vdes nga uria”.
“Vetëm qentë kujdesen për të e i lëpijnë plagët – shpjegoi më tej Papa. Lazri e përfaqëson mirë britmën e heshtur të varfanjakëve të të gjitha kohrave dhe kontradiktën e një bote, në të cilën pasuri e burime pa fund janë në duart e pak vetëve”. Por, paralajmëroi Françesku, të pasurit e të varfërit përfundojnë njëlloj: “si të varfërit, ashtu edhe të pasurit, vdesin një ditë, kanë të njëjtin fat… të gjithë ne, pa përjashtim”. E megjithatë, shembëlltyra na jep një veçori të rëndësishme, nënvizoi Ati i Shenjtë: “i pasuri nuk ka emër, ndërsa emri i të varfërit përsëritet pesë herë e ‘Lazër’ do të thotë ‘ Zoti ndihmon’. Lazri, që shtrihet para derës, është thirrje e vazhdueshme për të pasurin që të kujtohet për Zotin, por i pasuri nuk e kupton këtë thirrje. Prandaj, dënohet jo për pasuritë e veta, por sepse ishte i paaftë të ndjente dhembshuri për Lazrin e ta ndihmonte”.
Në botën e përtejme, vijoi Papa, “gjendja u përmbys: Lazri i varfër lartohet nga engjëjt në qiell, pranë Abrahamit, ndërsa i pasuri bie në humnerë, në mes të mundimeve. Tani, i pasuri kujtohet për Lazrin dhe i kërkon ndihmë, ndërsa kur ishte gjallë bënte sikur nuk e shihte. I mohonte edhe tepricat nga sofra e tij, ndërsa tani, i kërkon t’i çojë ujë për të pirë. Akoma beson se mund t’i japë urdhëra, për hir të kushteve shoqërore të mëparshme. Duke deklaruar se është e pamundur të plotësohet kjo kërkesë, vetë Abrahami na jep çelësin për interpretimin e krejt tregimit: ai shpjegon se të mirat e të këqiat janë shpërndarë në mënyrë të tillë, që ta kompensojnë padrejtësinë tokësore e porta, që ndante jetën e pasanikut nga ajo e varfanjakut, ishte shndërruar në një humnerë të madhe”. Për sa kohë Lazri rrinte poshtë shtëpisë së tij, për të pasurin ekzistonte mundësia e shpëtimit, pasi mund ta hapte portën dhe ta ndihmonte Lazrin, por tani që të dy kanë vdekur, gjendja nuk mund të ndryshojë më.
Në fund, Papa shpjegoi ç’na mëson shembëlltyra: “mëshira e Zotit ndaj nesh lidhet me mëshirën tonë ndaj të afërmit; kur kjo mungon, edhe ajo tjetra nuk gjen vend në zemrën tonë të mbyllur, nuk mund të hyjë. Nëse nuk ia hap portat e zemrës të varfërve, ajo portë mbetet e mbyllur edhe për Zotin e kjo është e tmerrshme! Për t’u kthyer në udhën e Zotit, nuk duhet të presim ndonjë mrekulli, por duhet t’ia hapim zemrën Fjalës së Hyjit, që na thërret ta duam Zotin e të afërmin. Fjala e Zotit e bën të jetojë sërish zemrën e tharë dhe e shëron nga verbëria e saj. I pasuri e njihte Fjalën e Zotit, por nuk e dëgjoi, nuk e pranoi me zemër, prandaj, nuk u tregua i aftë për t’i hapur sytë e për të pasur dhembshuri për të varfërin. Asnjë lajmëtar e asnjë mesazh nuk mund t’i zëvendësojnë të varfërit, që takojmë në udhën tonë, sepse në ta vjen të na takojë vetë Jezu Krishti”.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |