2016-05-18 13:56:00

Françesku: injorimi i të varfërve është përbuzje për Zotin


“Në të varfërit, vjen të na takojë vetë Jezu Krishti”. Audienca e përgjithshme e Papës Françesku niset nga Ungjilli i grykësit të pasur dhe i Lazrit të varfër, për të vënë në dukje lidhjen ndërmjet mëshirës, varfërisë e Gjykimit të Mbramë.

“Jeta e këtyre dy njerëzve – theksoi Ati i Shenjtë – duket sikur ecën në dy binarë paralelë: kushtet e tyre janë diametralisht të kundërta e nuk përputhen aspak. Porta e shtëpisë së pasanikut është gjithnjë e mbyllur për varfanjakun, i cili rri jashtë e përpiqet të hajë ndonjë dromcë, që bie nga sofra e të pasurit. Ky vishet me luks, ndërsa Lazri mbulohet nga plagët; pasaniku shtron një banket të madh përditë, ndërsa Lazri vdes nga uria”. Lazri e përfaqëson mirë britmën e heshtur të varfanjakëve të të gjitha kohrave dhe kontradiktën e një bote, në të cilën pasuri e burime pa fund janë në duart e pak vetëve, ashtu si pasaniku i shembëlltyrës, nënvizoi Papa:

“Duke e përjashtuar Lazrin, nuk mori parasysh as Zotin, as ligjin e Tij. Të injorosh të varfërin do të thotë të përbuzësh Hyjin. E këtë duhet ta mësojmë mirë: injorimi i të varfërit është përbuzje për Zotin”.

Para syve të Zotit të dënon mungesa e dhembshurisë, jo pasuria

Shembëlltyra, vijoi Papa Françesku, na jep një veçori të rëndësishme: “i pasuri nuk ka emër, ndërsa emri i të varfërit përsëritet pesë herë e ‘Lazër’ do të thotë ‘ Zoti ndihmon’. Lazri, i cili shtrihet para derës, është thirrje e vazhdueshme për të pasurin që të kujtohet për Zotin, por i pasuri nuk e kupton këtë thirrje. Prandaj, dënohet jo për pasuritë e veta, por sepse ishte i paaftë të ndjente dhembshuri për Lazrin e ta ndihmonte”. Në botën e përtejme, paralajmëroi Papa, “gjendja përmbyset: Lazri i varfër lartohet nga engjëjt në qiell, pranë Abrahamit, ndërsa i pasuri bie në humnerë, në mes të mundimeve. E i kërkon Abrahamit t’ia çojë Lazrin, që t’i lagë gojën:

“Tani, i pasuri kujtohet për Lazrin dhe i kërkon ndihmë, ndërsa kur ishte gjallë bënte sikur nuk e shihte. Sa herë – sa herë! – shumë njerëz bëjnë gjoja se nuk i shohin të varfërit! Për ta, të varfërit nuk ekzistojnë…”.

Lidhja ndërmjet mëshirës së Zotit e mëshirës për të tjerët

Duke deklaruar se është e pamundur t’i plotësohet kërkesa pasanikut, vetë Abrahami na jep çelësin për interpretimin e krejt tregimit. Ai shpjegon se të mirat e të këqiat janë shpërndarë në këtë botë në mënyrë të tillë, që ta kompensojnë padrejtësinë tokësore. Për sa kohë Lazri rrinte poshtë shtëpisë së tij, për të pasurin ekzistonte mundësia e shpëtimit, pasi mund ta hapte portën dhe ta ndihmonte Lazrin, por tani që të dy kanë vdekur, gjendja nuk mund të ndryshojë më. Pavarësisht se Zoti nuk përmendet drejtpërdrejt, theksoi Papa, ekziston një lidhje e qartë ndërmjet mëshirës për të tjerët e mëshirës hyjnore:

“Mëshira e Zotit ndaj nesh lidhet me mëshirën tonë ndaj të afërmit; kur kjo mungon, edhe ajo tjetra nuk gjen vend në zemrën tonë të mbyllur, nuk mund të hyjë. Nëse nuk ia hap portat e zemrës të varfërve, ajo portë mbetet e mbyllur edhe për Zotin e kjo është e tmerrshme!”

Varfëria dhe mëshira: rruga për shpëtimin e shpirtrave

         Duke iu kthyer shembëlltyrës, Ati i Shenjtë kujtoi se pasaniku, i cili kur vdiq përfundoi në mes të mundimeve, do të kishte dashur t’i paralajmëronte njerëzit si ai, që të mos silleshin njësoj, por Abrahami nuk e lejoi. Për t’u kthyer në udhën e Zotit, nuk duhet të presim ndonjë mrekulli, por duhet t’ia hapim zemrën Fjalës së Hyjit, që na thërret ta duam Zotin e të afërmin. I pasuri e njihte Fjalën e Zotit, por nuk e dëgjoi, nuk e pranoi me zemër, prandaj nuk dinte ç’ishte dhembshuria e mëshira. E Papa:

“Asnjë lajmëtar e asnjë mesazh nuk mund t’i zëvendësojnë të varfërit, që takojmë në udhën tonë, sepse në ta vjen të na takojë vetë Jezu Krishti”.

Sipas Atit të Shenjtë, pikërisht në përmbysjen e fatit të Lazrit e të pasanikut, fshihet “misteri i shëlbimit tonë, në të cilin Krishti bashkon varfërinë me mëshirën”.

Përshëndetjet e fundit në ditëlindjen e shën Gjon Palit II

         Në fund të audiencës, Papa Françesku kujtoi se sot, 18 maj, është dita e lindjes e shën Gjon Palit II. Prandaj, përshëndeti gjithë polakët e pranishëm, pjesëmarrësit në meshën e kremtuar në varrezën polake të Montecassino-s në kujtim të të rënëve në luftë dhe të gjithë ata, që në Torun, janë mbledhur për kushtimin e shenjtërores vendase “së Lumes Virgjër Mari, Yll i Ungjillëzimit të Ri, dhe shën Gjon Palit II”. Gjithashtu, Ati i Shenjtë përshëndeti edhe një grup nga Egjipti, priftërinjtë e Kishës Ortodokse ruse të ftuar nga Këshilli Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, fëmijët e repartit onkologjik të Spitalit “Krishti Fëmijë” dhe studentët e nismës “Të tregojmë Jubileun”.








All the contents on this site are copyrighted ©.