2016-05-17 18:07:00

Papa: bashkëjetesa ndërmjet të krishterëve e myslimanëve është e mundur


Një pjesë të intervistës së Papa Françeskun për të përditshmen franceze “La Croix”,  zë çështja, që ka të bëjë me emigracionin dhe me Islamin. Për refugjatët, Papa Bergoglio pranon se nuk mund të hapen portat në mënyrë të paarsyeshme, por edhe kërkon t’i jepet përgjigje çështjes themelore, domethënë, shkakut të emigrimeve, origjinës të ikjes së miliona njerëzve. 

Për bashkëjetesën ndërmjet të krishterëve e myslimabëve, Papa Françesku thotë: “Përgjithësisht, bashkëjetesa ndërmjet të krishterëve e myslimanëve është e mundur. Unë vij nga një vend në të cilin bashkëbanojnë me një familjaritet të mirë". Kështu pohon Papa Françesku duke  trajtuar njërën prej temave, në një intervistë të gjatë, dhënë së përditshmes katolike franceze “La Croix”, botuar dje.

“Nuk besoj se sot duhet pasur frikë nga Islami, si i tillë, por nga Isis e nga lufta e tij pushtuese, nxjerrë pjesërisht nga Islami. Është e vërtetë, vijon Papa Françesku, se ideja e pushtimit i përket shpirtit të Islamit, por do të mund të interpretohej sipas së njëjtës ide edhe fundi i Ungjillit të Mateut, kur Jezusi i dërgon dishepujt e vet në të gjitha kombet. Prej këndej, Papa fton t’i jepet përgjigje pyetjes mbi mënyrën me të cilën një model tepër perëndimor demokracie u eksportua në vende si Iraku, ku më parë ekzistonte një qeveri e fortë. Ose në Libi, ku ekziston një strukturë fisnore. Nuk mund të ecim përpara, pa i pasur mirë parasysh këto kultura – përfundon Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.