2016-05-16 15:43:00

Papa në Armeni, në qershor: gëzimi i bashkësisë armene


Gëzim i madh në bashkësinë armene për vizitën e Papës në Armeni, më 24 deri më 26 qershorin e ardhshëm. Programi tashmë u bë i njohur nga Salla e Shtypit: tri ditë të ngarkuara me veprimtari. Ati i Shenjtë do të vizitojë memorialin e masakrës së 1915-16, do të ketë çaste ekumenizmi, si lutja për paqen dhe deklarata e përbashkët me Kishën armene-apostolike, do të takohet me bashkësinë katolike… Për hollësitë e vizitës, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvin e armenëve katolikë të Halebit, në Siri, imzot Butros Marayati:

Përgjigje: - Për ne, armenët, është lajm, që na bën nder e na mbush plot me gëzim. E kjo, sidomos, sepse Ati i Shenjtë, që e njeh mirë historinë e armenëve, vjen si shtegtar për të kujtuar martirët armenë. Vitin e kaluar - më 12 prill -  kremtoi Meshën me rastin e qindvjetorit të martirëve armenë të genocidit, kryer nga otomanët, më 1915. E sivjet, si kurorëzim i këtij kremtimi, do të vijë vetë t’i vizitojë këto troje të krishtera, të mbrujtura me gjakun e martirëve, e për t’u lutur. Do të ketë edhe një takim ekumenik me Kishën armeno-ortodokse: kështu vizita do të pasurohet me vlerë ekumenike. Por Papa vjen edhe për të inkurajuar praninë e Kishës armeno-ortodokse: ne jemi të pranishëm në Armeni, me kryeipeshkvin, me meshtarët, murgeshat e shumë besimtarë që janë këtu, kanë jetuar këtu gjatë regjimit sovjetik e tani, të lirë, i kanë hapur përsëri kishat e tyre. Vizita e Atit të Shenjtë dhe Mesha e kryesuar prej tij  në qendër të Gymuri-t është inkurajim i madh për ne të gjithë. Duke nisur nga presidenti, për të arritur tek qytetari më i fundmë, do të jemi atje, për ta pritur Atin e Shenjtë. Shpresojmë se mund të na japë edhe shpresë për një jetë me paqe me të gjitha vendet, fqinje të këtij vendi të vogël. Armenisë! Por edhe për bashkëpunim ndërmjet armenëve të Republikës Armene  dhe të gjithë armenëve, që jetojnë në diasporë.

Pyetje: - Duke parë ngjarjet, që do të pasojnë njëra-tjetrën në këtë vizitë, ju kujtuat memorialin e martirëve armenë: do të jetë, pastaj, edhe nënshkrimi i deklaratës së  përbashkët  me Kishën armene apostolike: Papa do të lutet, në vijim të vizitës, në Manastirin e Khor Virap, vend i burgosjes së Gregorit Ndriçues. Prej këndej, mund të themi se është shtegtim me përmbajtje të fortë për Armeninë, por - mund ta themi lirisht - edhe për situatën ndërkombëtare….

Përgjigje: - Pa dyshim, edhe sepse Armenia mendon e dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian. Armenia ka edhe probleme lufte e paqeje me vendet fqinje… Do të jetë rasti për të menduar edhe për paqe, për marrëveshje. Besoj se gjëja më e bukur e më poetike do të jetë pikërisht kur të shkojë për të vizituar Kuvendin e Khor Virap: prej aty shikohet Mali Ararat, mali biblik, mali armen, që sot ndodhet në territorin turk… Ne e shikojmë në këtë anë e na rikujton se Barka e Noehit u ndal aty e se një ditë mbarë populli armen do të jetë pranë Zotit, falë martirëve, që dhanë jetën për Krishtin.

Pyetje: -  Një vizitë kjo, në vazhdimësi me atë të Shën Gjon Palit II: ç’ka mbetur nga ai shtegtim apostolik?

Përgjigje: - Ai shtegtim apostolik, në të cilin mora pjesë, pati karakter shumë privat; ndërsa ky, i tanishmi, do të jetë hapje më e fortë, sepse Ati i Shenjtë do të shkojë në Gymuri, në veri të Armenisë, ku katolikët armenë  janë shumë të pranishëm. E kjo, edhe me bekimin e Katolikosit apostolik armen të Etchmiadzin, që do ta shoqërojë. Do të kryesojë Meshën këtu, në sheshin e qytetit Gymuri, ku do të ketë një prani të fortë katolikësh. Prej këndej, mund të themi se vizita hap vërtet udhë të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.