2016-05-16 17:15:00

Papa, ipeshkvijve italianë: t’i përkisni Zotit, Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit


Meshtarët ta përdorin kohën, duart e zemrën që t’i përkasin Zotit, Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit: ky thelbi i fjalëve me të cilat, sot pasdite, Papa Françesku hapi Asamblenë e 69-të të Përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Me papninë e Bergoglios, ky është tashmë takim i përvitshëm, duke qenë Ati i Shenjtë primat i Italisë. Ndërkaq, kreu i ipeshkvijve italianë, kardinali Angelo Bagnasco do ta mbajë nesër fjalën e tij të hapjes.

Në majë të gishtave - siç tha vetë - Papa Françesku, në vend që të reflektonte mbi figurën e meshtarit, propozoi të shihet shembulli i atyre famullitarëve, që i shërbejnë me thjeshtësi bashkësisë së krishterë: çfarë i jep shije jetës së tyre? Për kë e për çfarë impenjohen në shërbimin e tyre? Cila është arsyeja e fundit e dhurimit të tyre për të tjerët?

Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Papa – i cili fillimisht pyeti për ipeshkvijtë e rinj: 36… 38, u ngritën zërat nga platea -  përvijoi figurën e meshtarit ekzistues, që vërtet e shkrin jetën për Popullin e Zotit dhe u kërkoi të gjithëve ta gjejnë këtë meshtar në gjirin e klerit e ta mbajnë si shembull, kur u duhet të përballojnë një botë, së cilës i merret fryma për shkak të mungesës së pikave të referimit.

“Është zbathur, ky prifti ynë – nënvizoi Ati i Shenjtë - …nuk shkandullohet për brishtësinë e shpirtit njerëzor: i vetëdijshëm si ai vetë është paralitik i shëruar, është larg nga ftohtësia e rigoristit, po aq sa nga sipërfaqësia e atij, që pajtohet me çdo lloj situate… Me vajin e shpresës dhe të ngushëllimit, bëhet i afërt me këdo… ia dorëzon çdo ditë Zotit kohën e vet… E di se Dashuria është gjithçka. Nuk kërkon tituj nderi… Stili i jetës së tij, i thjeshtë dhe thelbësor, gjithnjë i gatshëm, e bën të besueshëm në sytë e njerëzve dhe e afron me të përvujtët… Shërbëtor i jetës, ecën me zemrën dhe hapin e të varfërve”.

Përse bën kështu? – theksoi sërish pyetjen e parë Papa Françesku. Kush është sekreti i këtij meshtari? “E dini mirë – u përgjigj Ati i Shenjtë - sekreti qëndron në atë kaçube në flakë, që e vulos me zjarr ekzistencën e tij, e fiton për Jezu Krishtin dhe ia përshtat Zotit, e vërtetë përfundimtare në jetën e tij. Janë marrëdhëniet me Të që e ruajnë, e bëjnë të huaj për mondanitetin shpirtëror që korrupton, si edhe për çdo kompromis e meskinitet. Është miqësia me Zotin, që e bën ta përqafojë realitetin e përditshëm me besimin e atij, i cili beson se ç’është e pamundur për njeriun nuk është për Zotin”.

Meshtari, vijoi Papa, duhet ta ndjejë veten pjesë e Kishës, pjesë e rrugës së një bashkësie. Niset jo sepse ka një mision për të bërë, por sepse është misionar në vetvete. Në takimin me Jezusin, provon plotësinë e jetës, që dëshiron me gjithë shpirt t’ua dëshmojë të tjerëve. Prej këndej, ai është në gjendje të kontribuojë në krijimin e bashkësisë së krishterë, prandaj duhet të jetë i prirur të ndërtojë marrëdhënie të mira me të tjerët. E kjo, sipas Papës, është kriter vendimtar për të shoshitur nëse kandidati ka thirrje për jetën meshtarake.

Bashkësia e krishterë dhe bashkësia e meshtarëve: kandidati duhet të jetë pjestar i denjë i të dyjave. Gjithnjë në këndvështrimin e risimit të klerit, që është tema kryesore e Asamblesë së sivjetme të ipeshkvijve italianë, Papa kërkoi një meshtar të lirë nga narcizizmat e nga xhelozitë klerikale, të aftë ta konceptojë sipas Ungjillit edhe administrimin ekonomik të Kishës. “Mbani vetëm çfarë mund të shërbejë për përvojën e fesë e të dashurisë së Popullit të Zotit” i këshilloi Ati i Shenjtë.

Meshtari i përket Mbretërisë së Zotit, nënvizoi Papa. “Është njeri i Pashkëve, i vështrimit të ngulur në Mbretërinë e Zotit, drejt së cilës e ndjen se ecën historia e njerëzimit, pavarësisht nga vonesat, hijet dhe kontradiktat. Kjo Mbretëri – vizion i Jezusit për njeriun – është gëzimi i tij, horizonti që i jep mundësinë ta relativizojë ç’mbetet, t’i lerë shqetësimet dhe ankthet, të mbetet i lirë nga iluzionet dhe pesimizmi”.

Kjo pra, përfundoi Papa Françesku, është përkatësia e trifishtë e meshtarit: ai i përket Zotit, Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit. 

Punimet e asamblesë mbahen në Sallën e Sinodit në Vatikan e do të përfundojnë të enjten, më 19 maj. Nesër, pas ndërhyrjes së kardinalit-kryetar, ipeshkvijtë do të diskutojnë mbi temën kryesore në rend të ditës: risimin e klerit, duke u nisur nga formimi i vazhdueshëm. Ndër argumentet e tjera, parashikohet debati për disa linja administrimi në fushën ekonomike, rishikimi i normave për Gjykatat kishtare dhe një sërë problemesh juridiko-administrative. Të mërkurën, në orën 8.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të festuar 50-vjetorin e meshtarisë, kardinali Bagnasco do të bashkëkremtojë meshën me sivëllezërit e vet. Të enjten, më 19 maj, konferenca e shtypit për rezultatet e Asamblesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.