2016-05-15 18:15:00

Dita misionare 2016. Papa: dëshmitarë të mëshirës


“Shpirti Shenjt u dhëntë forcë të gjithë misionarëve të Ungjillit ndërmjet popujve dhe e ndihmoftë misionin e Kishës në mbarë botën, duke nxitur  djem e vajza të forta, që e çojnë kudo Ungjillin”, këto fjalët, me të cilat Papa Françesku kumtoi, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore,  botimin e Mesazhit për Ditën e ardhshme Misionare Botërore, që do të kremtohet të diel, më 23 tetor. E pikërisht në këtë Vit Jubilar kjo ditë kremtohet për të 90-tën herë. Titulli i mesazhit “Kisha misionare, dëshmitare e mëshirës”.

“Kisha kujdeset për ata, që nuk e njohin Ungjillin, sepse dëshiron që të gjithë të shëlbohen e të provojnë dashurinë e Zotit” - shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën e ardhshme Misionare Botërore. Ajo ka misionin të kumtojë mëshirën e Zotit, zemër e Ungjillit, që rreh fort, e edhe ta shpallin në çdo skaj e skutë të Tokës”.

Zoti bëhet i afërt me më të vegjlit

U rikthye tek figura e një Kishe që “del”, përmes dishepujve të saj misionarë, të cilët vënë në dispozicion të saj talentet e tyre, Ati i Shenjtë, që shpjegoi edhe një herë ç’do të thotë mëshirë e Zotit:

“Mëshira shkakton gëzim të thellë në zemrën e Atit, kur takon çdo krijesë njerëzore – reflektoi – sepse Zoti ka aftësi të njëjtësohet me të vegjlit, me të flakurit, me të shtypurit. Zoti është i mirë, i vëmendshëm, besnik, e bëhet i afërt me atë, që ka nevojë për ndihmën e Tij, posaçërisht me më të varfërit. Hyn dhembshurisht në realitetin njerëzor, pikërisht siç do të bënte një atë a një nënë në jetën e bijve të vet”.

Gratë misionare, shenjë e dashurisë amtare të Zotit

E pikërisht kjo shenjë kuptimplote e dashurisë amtare të Zotit - sipas Papës - është prania femërore, gjithnjë më e shumënumërt në botën misionare. Janë shumë - shtoi Papa - gratë shekullare ose të shuguruara, por nuk mungojnë as familjet, që realizojnë thirrjen e tyre misionare, duke e kumtuar Ungjillin, ose përmes shërbimit bamirës. E janë pikërisht gratë dhe familjet, që i kuptojnë më mirë problemet e njerëzve dhe dinë t’i përballojnë në mënyrën më të përshtatshme, nganjëherë, madje të padëgjuar. Në këtë mënyrë, duke u kujdesur për jetën, duke i kushtuar vëmendje njerëzve, më shumë sesa strukturave, familjet dinë të krijojnë harmoni, lidhje të përzemërta, paqe, solidaritet, dialog, bashkëpunim e vëllazërim në lidhjet ndërpersonale, në jetën shoqërore e, sidomos, në kujdesin për të varfërit.

Në Krishtin Njeri shohim fytyrën e mëshirshme të Atit

Ta dhurosh jetën tënde pa pritur asnjë shpërblim, duke u mësuar të duash, ashtu si na do vetë Zoti - shkruan akoma Françesku - na krijon mundësi të bëhemi të mëshirshëm si Ati ynë qiellor e është synim, që mund të arrihet  duke i pranuar e duke i ndjekur mësimet e Jezusit, Fjalës së Mishëruar, në të cilën mëshira gjen shprehjen e vet më të lartë: “Ai na dëfton fytyrën e  Atit, të pasur me mëshirë”.

Ungjillëzimi është edhe edukim

Së fundi Papa nënvizon se “çdo popull e çdo kulturë ka të drejtë ta marrë lajmin e shëlbimit, që është dhuratë e Zotit për të gjithë. Ungjilli i faljes e i mëshirës - të krishterët e dinë - sjell gëzim e pajtim, drejtësi e paqe. Në shumë vende ungjillëzimi nis përmes veprimtarisë edukative - vuri në dukje Papa - së cilës vepra misionare i kushton angazhim e kohë. E më pas kujtoi se feja është dhuratë e Zotit, pa harruar se rritet falë fesë dhe bamirësisë së ungjillëzuesve, që janë dëshmitarë të Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.