2016-05-14 16:57:00

Papa: dhembshuria nuk është pietizëm, fiton mbi indiferencën


Dhembshuria nuk është pietizëm, por shprehje e mëshirës së Zotit. Për Jezusin, të kesh mëshirë do të thotë ta ndash trishtimin me njeriun që takon e të përpiqesh t’ia shndërrosh këtë trishtim në gëzim. Këtë pohoi Papa sot, gjatë audiencës jubilare, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një paradite me shi e re, që gjante më shumë si fillim vjeshte, sesa si kulm pranvere, i ndjekur nga të sëmurët, përmes ekraneve të mëdha, në Sallën e Palit VI.

Dhembshuria nuk është pietizëm, emocion i përciptë ky, që e fyen tjetrin. Dhembshuria - theksoi Papa - nuk duhet ngatërruar as me keqardhjen, që ndjejmë për kafshët, të cilat jetojnë pranë nesh:

“Ndodh që nganjëherë e provojmë këtë ndjenjë ndaj kafshëve, ndërsa mbajmë qëndrim fare indiferent përballë dhimbjes së vëllezërve. Sa e sa herë shikojmë njerëz të lidhur fort me maçokë e qen, të cilët pastaj s’e kanë për gjë ta lënë pa ndihmë të uriturin a të uriturën, që e kanë fare pranë”.

Dhembshuria është shprehje e mëshirës së Zotit

Dhembshuria, për të cilën po flasim - shtoi Papa - është shprehje e mëshirës së vetë Zotit. Njerëzve të sëmurë, të pushtuarve nga djalli, të varfërve ose të munduarve - kujtoi në vijim - Jezusi u përgjigjej me një shikim plot mëshirë, duke i ngushëlluar me praninë e Tij:

“Për Jezusin, të kesh mëshirë, është njëlloj si ta ndash trishtimin me atë që takon e, njëkohësisht, të bësh çmos për ta shndërruar në gëzim. Edhe ne jemi të thirrur t’i kultivojmë sjelljet plot dhembshuri në një mori situatash të jetës, duke e shkundur nga vetja indiferencën, sepse na pengon për t’i parë nevojat e vëllezërve, që na rrethojnë e edhe për t’i çliruar nga skllavëria e mirëqenies materiale”.

Maria, ikonë e dhembshurisë

Besimtarët - vijoi Papa - e kanë një shembull, kah i cili mund t’i sjellin sytë:

“Të shikojmë shembullin e Virgjërës Mari, që kujdeset për secilin prej bijve të saj e që, për ne, besimtarët, është ikona e dhembshurisë dhe e mëshirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.