2016-05-13 19:04:00

Papritur Papa viziton Bashkësinë il "Chicco"


Sot pasdite Papa, në kuadrin e “së Premtes së mëshirës” të Vitit jubilar,  vizitoi papritur Bashkësinë il "Chicco” të Ciampinos, në portat e Romës. Lajmi u botua në kanalin zyrtar të Jubileut të Mëshirës. Il "Chicco" është një realitet i lidhur me familjen e madhe të Arkës, themeluar nga Jean Vanier, në vitin 1964. Federata është e pranishme në më se 30 vende, në të pesë kontinentet, së bashku me shoqërinë “Fe e Dritë”. Të dyja u kushtohen njerëzve më të ligshtë, të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Bashkësia il Chicco, e para e organizuar në Itali, themeluar më 1981, strehon 18 njerëz me kufizime të rënda mendore.

Ulur në tryezë për të ngrënë diçka në gjysmën e pasdites, siç bëhet në familje, Kjo, figura e festës, ku sundojnë buzëqeshjet. Papa flet me mysafirët e il "Chicco-s", me vullnetarët, me familjarët. Emocion i thellë, që i pushton të gjithë, por më shumë se emocioni, ndjehet gëzimi. Dashuria nuk mund të jetë private, gëzimi e dinjiteti nuk i përjashtojnë njerëzit, vetëm sepse kanë kufizime mendore. Dinë edhe ata të gëzohen, të emocionohen, të  qajnë e të qeshin me gjithë zemër. Sepse zemra u rreh si çdo zemër njerëzore! E këtë e theksoi Papa, duke ecur mes tyre: askush nuk mund t’ia lejojë vetes t’i diskriminojë, duke u nisur nga paragjykimet, që i përjashtojnë e i mbyllin në vetminë e familjeve e të shoqatave. E atëherë, dy shtëpitë-familje, që këtu quhen “vatra”: “Vreshti” e “Ulliri”, sot ndritën nga gëzimi, sepse i pa gjithë bota e morën përqafimin dhe bekimin e Papës. Françesku vizitoi të sëmurët më të rëndë e edhe laboratorin artizanal, ku krijohen ditë për ditë objekte të vogla. Së fundi, duke i zënë të gjithë përdore, Papa u lut me ta në Kapelë e, pasi i përqafoi, i përshëndeti, duke marrë me vete gëzimin dhe ngrohtësinë e bashkësisë il "Chicco”.








All the contents on this site are copyrighted ©.