2016-05-13 14:33:00

Papa: përgjigje politike, shoqërore dhe ekonomike krizës së emigrantëve


Lufta kundër varfërisë nuk është vetëm problem ekonomik, por edhe, e sidomos, problem moral. Aq e vërtetë kjo, sa e gjithë bashkësia ndërkombëtare është e thirrur të gjejë përgjigjet politike, shoqërore dhe ekonomike për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Kështu Papa Françesku pjesëmarrësve në Konferencën, organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus-Pro Pontifice, 25 vjet pas shpalljes së Letrës Enciklike të Shën Gjon Palit II. Në Sallën Klementine Papa kujtoi edhe papunësinë në radhët e të rinjve, duke theksuar se është shkandull i vërtetë, që duhet parë e duhet përballuar si “sëmundje shoqërore”.

Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, i institucioneve, i botës së punës për progresin ekonomik duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët,  gjithëpërfshirjes dhe zhvillimit të gjithanshëm, përmes sigurimit të punës dhe investimit në burimet njerëzore. U rikthye tek temat, që i ka aq për zemër Papa, duke pritur sot pjesëmarrësit në Konferencën ndërkombëtare të Fondacionit Centesimus Annus-Pro Pontefice, kushtuar kontributit të bashkësisë afariste në luftë kundër varfërisë, me vëmendje të posaçme mbi emergjencën e refugjatëve. Françesku foli për krizën, të cilën e ndjek vazhdimisht me vëmendje të madhe, me përpjestime që rriten çdo ditë, duke kujtuar vizitën në Lesbo, ku, së bashku me vëllezërit ortodoksë Bartolomeu I dhe Jeronimi ishte dëshmitar i përvojës së vuajtjes së thellë njerëzore, posaçërisht mjerimit të familjeve e fëmijëve. Pashë - vijoi të kujtojë Papa - skena tragjike, me njerëz të zhytur në dëshpërim, sepse në kushte të mjeruara jetese:

“Përveç aspektit të menjëhershëm të furnizimit me ndihma materiale për këta vëllezër e motra, mbarë bashkësia ndërkombëtare është e thirrur të gjejë përgjigje politike, shoqërore dhe ekonomike afatgjata për zgjidhjen e problemeve, të cilat i kapërcejnë kufijtë kombëtarë e kontinentalë, duke përfshirë në këtë betejë, mbarë familjen njerëzore”.

Është fjala për të përballuar ato çështje humanitare e detyrime morale, që  duhet t’i kenë mirë parasysh shoqëritë tona, pa harruar edhe ndërlikimet   praktike dhe etike të ekonomisë botërore e duke u përpjekur – shpjegoi Papa – për të hedhur themelet e një kulture ekonomike e afariste   gjithëpëfshirëse, që nuk  e harron kurrë respektimin e dinjitetit njerëzor, sepse lufta kundër varfërisë nuk është vetëm problem ekonomik, por mbi të gjitha, problem moral. Prej këndej, duhet mbështetur mbi solidaritetin global e mbi një zhvillim më të barabartë, që i ka mirë parasysh nevojat e më të varfërve dhe dëshirat e  individëve e të popujve në mbarë botën:

“Ashtu siç e ka theksuar disa herë Gjon Pali II, veprimtaria ekonomike nuk mund të mbarështohet në kushte boshlleku institucional ose politik, por zotëron një elementet përbërës themelor etik: duhet vënë gjithnjë në shërbim të njeriut e të së mirës së përbashkët”.

Nga ana tjetër, siç na tregon përvoja e përditshme - vërejti Françesku – një vizion ekonomik, që ka për qëllim vetëm fitimin e mirëqenien materiale,  është i paaftë të kontribuojë pozitivisht për atë globalizim, që favorizon zhvillimin e gjithanshëm të popujve të botës, shpërndarjen e drejtë të pasurive, garancinë për punë dinjitoze,  lulëzimin e nismës private e të sipërmarrjeve lokale”.

Ekonomia, që e përjashton e nuk e përfill drejtësinë,  pati si pasojë  numrin më të madh të njerëzve të flakur jashtë radhëve, të trajtuar si hedhurina, të parë si njerëz, që nuk janë në gjendje të prodhojnë, pra krejt të panevojshëm. 

Pasojat, nënvizoi Papa, shihen qartë edhe në shoqëritë më të zhvilluara, në të cilat varfëria dhe zvetënimi shoqëror janë kërcënim serioz për familjet, për klasën e mesme e, në mënyrë të veçantë, për të rinjtë:

“Përqindja e papunësisë së të rinjve është shkandull, që duhet përballuar jo vetëm me terma ekonomike, por që duhet parë urgjentisht, si sëmundje shoqërore, sepse kështu rinisë sonë i rrëmbehet shpresa, u shkapërdredhen burimet e mëdha të energjisë, i mbytet fryma krijuese e intuita”.

Siç na mëson Koncili II i Vatikanit, i krishteri nuk mund ta ndajë veprimtarinë ekonomike, financiare e afariste, nga detyra e luftës për përsosjen e rendit në këtë botë, në përkim me vlerat e Mbretërisë së Zotit. E urimi përfundimtar i Papës është të kontribuohet gjithnjë më shumë për zhvillimin e qytetërimit të dashurisë, që përfshin mbarë familjen njerëzore në drejtësi e në paqe.








All the contents on this site are copyrighted ©.