2016-05-13 14:23:00

Imzot Becciu për diakoneshat: Papa, i çuditur. Koment i atë Lombardit


“Papa më telefonoi, i çuditur për çështjen e diakoneshave! Mendon për një komision. Të mos shpejtohemi e të nxjerrim përfundime që tani!”. Kështu shkruan në një tweet, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Angelo Giovanni Becciu. Për këtë temë e për bisedën e djeshme me pyetje-përgjigje të Papës Françesku me rregulltaret, në Vatikan, të dëgjojmë një koment të shkurtër të drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi:

         “Është fjala për një bisedë të këndshme të Papës me Eproret e rregulltareve nga anë të ndryshme të botës. Shumë e bukur dhe inkurajuese për gratë, në veçanti, për gratë e shuguruara në jetën e Kishës, edhe për detyrat e tyre në vende të rëndësishme nëpër dikastere.

         Bëri shumë zhurmë fakti që Papa, duke iu përgjigjur një pyetjeje, foli për një Komision, i cili duhet të studiojë çështjen e diakonatit për femrat. Është çështje e trajtuar shumë edhe në të kaluarën. Lind nga fakti se në kishën e lashtë kishte gra, që thirreshin “diakonesha” e që kryenin shërbime të caktuara në bashkësi. Përveç kësaj, ka një dokument të rëndësishëm të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, që flet për këtë në vitin 2002. Papa thotë se mendon të ngrejë një Komision, i cili ta rimarrë në dorë krejt punën, për ta sqaruar më mirë. Por, duhet të jemi të ndershëm: Papa nuk tha se ka ndërmend të vendosë për shugurimin diakonal të grave e as që foli për shugurimin meshtarak të tyre. Përkundrazi, duke përmendur predikimin gjatë kremtimit eukaristik, dha të kuptohet se nuk mendon aspak për këtë. Gjithsesi, është gabim të reduktohen të gjitha gjërat e rëndësishme, që Papa u tha rregulltareve, vetëm në këtë argument”.








All the contents on this site are copyrighted ©.