2016-05-12 15:02:00

Papa: të krishterët punojnë për bashkimin, “ngatërrestarët” ndajnë


Jezusi lutet për bashkimin e të krishterëve, por në Kishë ka “ngatërrestarë”, që e ndajnë dhe përçajnë bashkësinë, duke e përdorur gjuhën si teh shpate: ky ishte thelbi i homelisë së Papës Françesku në meshën e mëngjesit.

Bashkimi, shumë i vështirë

Para Mundimeve, Jezusi i lutet Atit që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme, e bota të besojë. Kjo është pjesa ungjillore, nga e cila mori shkas reflektimi i Atit të Shenjtë:

“Uniteti i bashkësive të krishtera, i familjeve të krishtera, është dëshmi: tregon se Ati Qiellor na ka dërguar Jezusin. E ndoshta, arritja e bashkimit – në një komunitet të krishterë, në një famulli, në një ipeshkvi, në një institucion të krishterë, në një familje të krishterë – është nga gjërat më të vështira. Historia jonë, historia e Kishës, na bën të turpërohemi nganjëherë: kemi bërë deri luftë kundër vëllezërve tanë të krishterë! Le të mendojmë vetëm për njërën, për Luftën e 30 vjetëve”.

Të kërkojmë falje për ndarjet

 Aty ku të krishterët i bëjnë luftë njëri-tjetrit, nuk ka dëshmi, pohoi Papa Françesku:

“Duhet t’i kërkojmë falje Zotit për këtë histori! Shpesh, histori ndarjesh, e jo vetëm në të kaluarën… edhe sot! Edhe sot! E bota e sheh që jemi të ndarë e thotë: ‘të merren vesh një herë ndërmjet tyre, pastaj shohim… E si kështu, Jezusi u ngjall e jeton, e këta – dishepujt e Tij – nuk merren vesh?’. Një herë, një katolik i thoshte një të krishteri të Lindjes – edhe ai katolik: ‘Krishti im ngjallet pasnesër. E i yti, kur ngjallet?’ As për Pashkë s’jemi të bashkuar! E kjo, në gjithë botën. E bota nuk beson”.

“Ngatërrestarët” ndotin e shkatërrojnë

“Ishte zilia e djallit ajo, që lejoi hyrjen e mëkatit në botë”, shpjegoi Papa. Fatkeqësisht, në bashkësitë e krishtera, “është gati e zakonshme” të gjejmë egoizëm, xhelozi, zili, ndarje, “e kjo na bën ta marrin nëpër gojë njëri-tjetrin. Flitet pak si tepër!”. Në Argjentinë, vuri në dukje më pas, këta njerëz i quajnë “ngatërrestarë”, sepse mbjellin ngatërresa gjithandej, si egjrën e Ungjillit. Gjuha e përdorur si teh shpate mund të shkatërrojë një familje, një bashkësi, një shoqëri, mund të mbjellë urrejtje e luftë, mund ta shkatërrojë krejtësisht emrin e mirë të tjetrit. Ati i Shenjtë kujtoi një anekdotë me protagonist shën Filip Nerin. Një gruaje, që kishte folur keq për dikë, i jep si pendesë të shpuplojë një pulë e t’i përhapë puplat nëpër lagje e pastaj, t’i mbledhë prapë. “Po s’është e mundur”, i pati thënë gruaja. E kështu edhe me thashethemet, theksoi Françesku, po dolën nga goja nuk kthehen mbrapsht:

“Kështu janë thashethemet: e ndyejnë tjetrin. Ai që flet kot, ndyen, shkatërron! Shkatërron famën, shkatërron jetën e shumë herë – shumë herë! – pa arsye, kundër së vërtetës. Jezusi u lut për ne, për të gjithë ne, që jemi këtu, e për bashkësitë tona, për famullitë tona, për dioqezat tona: ‘Që të jenë një gjë e vetme’. T’i lutemi Zotit të na japë hir, sepse është e madhe, tepër e madhe forca e djallit, e mëkatit, që na shtyn drejt përçarjes. Gjithmonë! Të na japë hirin, të na japë dhuratën: e cila është dhurata që krijon bashkim? Shpirti Shenjt! Na dhashtë këtë dhuratë, që krijon harmoni, sepse Ai është harmonia e lavdia e bashkësive tona. E na dhashtë paqen, por të bashkuar. T’i kërkojmë hirin e bashkimit për të gjithë të krishterët, hirin e madh e hirin e vogël të çdo dite për bashkësitë tona, për familjet tona: e hirin që ta kafshojmë gjuhën, t’i vemë drynin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.