

Sot më 12 maj Kisha katolike përkujton Shenjtorët Nereu, Akileu e Pankraci, martirë
Nereu e Akileu, sipas traditës, qenë dy ushtarakë të ushtrisë
romake. Bëjnë pjesë në grupin e ushtarakëve, me të cilët filloi “epoka e martirëve”
nën Dioklecianin. Duke i shërbyer tiranit e duke zbatuar pa asnjë kundërshtim urdhrat
e tij, ata torturonin çdo ditë “rebelët e krishterë”, siç quheshin nga paganët ndjekësit
e fesë së re, ardhur nga Lindja. Të mahnitur nga qëndrimi i patundur i martirëve të
krishterë para vdekjes, vendosën të ndiqnin shembullin e tyre. U kthyen në fenë e
Krishtit. E si morën guximin të shpallnin haptas se ishin të krishterë, u përjashtuan
menjëherë nga radhët e ushtrisë dhe u dënuan me vdekje, të cilën e përballuan me guxim
e me gëzim. Iu pre koka në Romë, nën perandorin Dioklecian, në vitin 304, e u varrosen
në varrezën e Domitilës në Ardeatina. Më pas, për nder të tyre, në Termet e Caracallës
u lartua një nga bazilikat e njohura romake. Simboli i tyre, ashtu si i të gjithë
martirëve, është palma.
Basorelievi, që paraqet xhelatin duke i prerë kokën Shën Akileut konsiderohet si vepra
më e lashtë artistike, ardhur deri në ditët tona, dëshmi e martirizimit të të krishterëve
të parë.
Edhe historia e Shën Pankracit, që vdiq tepër i ri nën Perandorin
Dioklecian, i copëtuar në amfiteatër nga një luan, është pasuruar me shumë elemente
legjendare, të cilat është vështirë t’i ndash nga e vërteta historike. Sidoqoftë,
është një nga shenjtorët më popullor, jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj: njihet
si Pajtor i Rinisë të Veprimit Katolik, ndërsa i janë kushtuar bazilika, kisha e kuvende:
bazilika e tij në Romë u ngrit nga Shën Gregori i Madh; kisha në Londër, nga Shën
Augustini i Canterburyt; madje iu kushtua edhe një stacion i metropolitanës londineze;
anglez ishte edhe Wisemman-i (Uajsman), autori i romanit të famshëm “Fabiola”, përkthyer
në gjuhën shqipe nga Imzot Vinçenc Prennushi, një nga personazhet kryesore të të të
cilit është pikërisht Shën Pankraci.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |