2016-05-12 15:03:00

Gratë diakonesha? Papa: “Të studiohet”


Papa Françesku priti sot në audiencë Bashkimin Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme të rregulltareve (Uisg). Gjatë bisedës me ta, Ati i Shenjtë njoftoi se ka qëllim të krijojë një Komision studimi mbi diakonatin femëror në Kishën primitive, duke vënë në dukje se gratë diakonesha janë “një mundësi për të sotmen”.

Diakonati është shkalla e parë e urdhrit të shenjtë, pasuar nga meshtaria e episkopati. Diakonët mund t’i mbarështojnë disa sakramente ndërmjet të cilëve pagëzimin e martesën.

Në Sinod u fol për këtë temë nga kryeabati-epror i përgjithshëm i Kongregatës benediktine të shën Otiliainit.

Diakonati është shkalla e parë e shugurimit “zyrtar”, që i paraprin pranimit në meshtari e në komunitetet e para të krishtera ishte i hapur edhe për gratë.

Eshtë domethënëse që Papa ka zgjedhur takimin e sotëm në Sallën e Palit VI në Vatikan me afër 900 eproreve të përgjithshme të instituteve rregulltare femërore për të trajtuar këtë temë kaq vendimtare. Rregulltaret i kanë kërkuar Papës, gjatë një sesioni me pyetje e përgjigje, përse Kisha i përjashton gratë nga shërbimi si diakonë. E njëra prej tyre shtoi: “Pse nuk krijohet një komision zyrtar, i cili mund të studiojë rreth kësaj çështjeje?”. Papa u përgjigj se për këtë çështje, para disa vitesh, kishte folur një herë me një “profesor të mirë e të urtë”, që e kishte studiuar ekzistencën e diakoneshave në shekujt e parë të Kishës dhe ai i kishte thënë se akoma nuk është krejtësisht i qartë roli i tyre. E sidomos nëse “ishin të shurguruara apo jo? Lidhur me rolin e statusin e diakoneshave në atë kohë, çështja nuk është krejtësisht e qartë, ka mbetur pak në hije”.

"Një komisioni zyrtar a mund ta studiojë çështjen?”, pyeti Papa me zë të lartë. E pastaj u përgjigj: “Besoj se po. Sqarimi i kësaj pike do t’i bënte mirë Kishës. Jam dakord. Unë do të flas për të bërë diçka të ngjashme. E pranoj propozimin. Më duket i dobishëm për mua të kemi një Komision që ta sqarojë mirë çështjen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.