2016-05-11 14:12:00

Poloni: në Varshavë, liturgji ekumenike për martirët e krishterë


“Duam t’i përqafojmë me mëshirë të gjitha problemet dhe vendet, ku nuk mund të arrijmë me veprat tona”: ky ishte objektivi i Liturgjisë ekumenike për martirët, që u kremtua mbrëmë në Varshavë të Polonisë. Morën pjesë përfaqësues të shumë bashkësive fetare. Takimi i lutjes i kushtohej kujtimit të atyre, që në Lindjen e Mesme, në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine, “gjatë viteve të fundit kanë humbur jetën për t’i qëndruar besnikë fesë së tyre”. Nisma u organizua nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe u kryesua nga kryeipeshkvi i Varshavës, kardinali Kazimierz Nycz.

“Dëshmitarë të mëshirës”, tema e kremtimit

Është hera e tretë, që organizohet një kremtim i tillë. Kësaj radhe tema ishte “Dëshmitarë të mëshirës”, sepse, siç shpjeguan organizatorët, “në botën bashkëkohore, martirët, me gjithë jetën e tyre, kumtojnë Lajmin e Mirë dhe mëshirën e Zotit”. Në Vitin Shenjt të Mëshirës, nënvizojnë më tej, “e kemi për detyrë ta kumtojmë të Ringjallurin, i cili me vdekjen e Tij shembi të gjitha muret e armiqësisë ndërmjet njerëzve” e duhet të lutemi që “Krishti të jetë veçanërisht i pranishëm ndër të persekutuarit, ndër ata, që dëbohen nga shtëpitë e tyre e ndër ata, që ikin nga lufta dhe mjerimi”. Sipas vlerësimeve të fundit, të krishterët e persekutuar në botë arrijnë shifrën 200 milion vetë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.