2016-05-11 18:10:00

Parolin në qershor, në Ukrainë, për të çuar solidaritetin e Papës


Muajin e ardhshëm kardinali Parolin do të shkojë në Ukrainë, për t’i shprehur solidaritetin e Papës popullsisë së vuajtur: njoftimin e dha vetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Estoni. Sot paradite, në Universitetin e Tartu, kardinali Parolin mbajti një fjalim, përqendruar  tek marrëdhëniet ndërkombëtare të Selisë së Shenjtë. Kujtoi edhe çështjen e emigracionit si dhe krizën e vlerave në Evropë.

Selia e Shenjtë shqetësohet për situatën humanitare në Ukrainë

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, unë vetë do të shkoj në Ukrainë muajin e ardhshëm, për t’i shprehur solidaritetin e Atit të Shenjtë atyre që vuajnë": me këto fjalë kardinali Parolin njoftoi se do të shtegtojë në Ukrainë. Duke kujtuar lëmoshët e mbledhura për vendin, sipas dëshirës së Papës, më 24 prillin e kaluar, Hirësia e Tij nënvizoi se Selia e Shenjtë është tepër e shqetësuar për çështjen humanitare, e cila vijon të keqësohet, për shkak të konfliktit në vijim e të inflacionit, që i ka detyruar më se një milion e gjysën njerëz të shpërngulen nga vatrat e tyre. Dramatike edhe emergjenca shëndetësore - shtoi sekretari i Shtetit të Vatikanit – e gjithashtu edhe kushtet në të cilat jetojnë fëmijët, që nuk mund të vijojnë shkollat e provojnë ditë për ditë dhunën, duke mbetur thellësisht të traumatizuar.

Të respektohet e drejta ndërkombëtare e të nxitet dialogu

Përballë gjithë kësaj - nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - Kisha katolike, edhe pse pakicë në Ukrainë, po përpiqet t’u përgjigjet nevojave të popullsisë, ndërsa Selia e Shenjtë përgatit ndërhyrje të posaçme, në dobi të të gjithëve, pa dallime fetare. Njëkohësisht - pohoi kardinali Parolin - ka rëndësi të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe ajo humanitare, duke inkurajuar palët në konflikt të rifillojnë dialogun për të kapërcyer vështirësitë aktuale e për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë.

T’i jepet përgjigje humanitare krizës së emigracionit

Pastaj Hirësia e Tij kaloi nga çështja e Ukrainës, në veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë, që - theksoi - është larg problemeve pastërtisht politike ose tregtare, por bazohet mbi katër parime themelore: dinjiteti i njeriut, promovimi i së mirës së përbashkët, solidariteti, subvencionimi. Prej këndej, thirrja për t’i kushtuar vëmendje dy krizave aktuale të Evropës: krizës së emigracionit e asaj të vlerave. Lidhur me të parën, kardinali bëri thirrje për një përgjigje humanitare, që mund t’i balancojë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve evropianë me strehimin e emigrantëve, përmes një dialogu të sinqertë e respektues ndërmjet vendeve të origjinës, vendeve të kalimit e vendit ku drejtohen refugjatët.

19 maj, ambasadori i ri i Estonisë, në audiencë tek Papa

Ndërsa për krizën e vlerave, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, që nuk duhet kufizuar në individualizëm të thjeshtë, por duhet kuptuar si vlerë universale, sepse është themelore për njeriun e për dinjitetin e  tij. Së fundi, kardinali Parolin njoftoi edhe se të enjten, më 19 maj, Papa Françesku do të presë në audiencë ambasadorin e ri të Estonisë pranë Selisë së Shenjtë, Väino Reinert, që do të paraqesë letrat kredenciale.

Papa përshëndet besimtarët estonë

Para se të shkonte në Universitetin e Tartu, sot paradite, sekretari i Shtetit të Vatikanit kryesoi Meshën në kishën e Zojës së Papërlyer, duke u përcjellë besimtarëve të pranishëm përshëndetjen dhe bekimin e Papës. Në homelinë e Meshës, kardinali kujtoi aspektet themelore të jetës së ipeshkvijve e të meshtarëve, si besnikëria ndaj Krishtit, vigjilenca, vëmendja ndaj Fjalës së Zotit e lutja. Qendrore edhe thirrja drejtuar barinjve për t’u vënë në shërbim të grigjës, që u është besuar, pa menduar për të përfituar nga besimtarët, por duke u munduar ta shkrijnë gjithë jetën për ta.

Të çohet përpara me guxim ungjillëzimi i ri

Dje pasdite kardinali Parolin kryesoi Meshën në katedralen e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Talin. Duke kujtuar dëshminë e meshtarëve, rregulltarëve e laikëve përballë persekutimeve, internimeve dhe pengesave të të gjitha natyrave, që hasi Kisha estone në periudhën e pushtimit e të diktaturës, kardinali Parolin i nxiti besimtarët ta vijojnë edhe sot misionin e tyre guximtar të ungjillëzimit të ri, posaçërisht përballë sfidave jo më pak të rëndësishme, si shekullarizimi, indiferenca fetare e armiqësia ndaj fesë.

Rëndësia e dialogut ekumenik

Në këtë këndvështrim, sekretari i Shtetit të Vatikanit nguli këmbë mbi rëndësinë e  përmasës ekumenike, posaçërisht në një vend, si Estonia, me   traditë të fortë ortodokse e luterane. Ju inkurajoj - u tha besimtarëve - të vijoni të luteni së bashku, të promovoni dialogun e të bashkëpunoni në nismat e ndryshme për ta përhapur fenë e për t’i shërbyer së mirës së përbashkët me frymën e Ungjillit, sepse përçarja e të krishterëve është në kundërshtim të plotë me vullnetin e Jezu Krishtit.

Sonte kardinali Parolin u nis për në Letoni

Kujtojmë se Estonia është etapa e dytë e shtegtimtit të kardinalit Parolin në zonën baltike: nga 7 deri më 9 maj ishte në Lituani, ndërsa sonte u nis për në Letoni. Kthimi në Itali parashikohet për 13 maj. 








All the contents on this site are copyrighted ©.