2016-05-10 14:02:00

KryegjyshiBektashian Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj në Vatikan vizitoi Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar


Sot e nesër gjendet për një vizitë në Vatikan, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj me një delegacion të komunitetit. Sot Kryegjyshi Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka vizituar Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, ku u prit nga Sekretari i dikasterit të Vatikanit, Imzot Miguel Angel Ayuso Guixot. Në takim u fol për dialogun ndërfetar, për kontributin e Papa Françeskut për afrimin e paqen ndërmjet popujve, kombeve e komuniteteve fetare, për kanonizimin e ardhshëm të Nënë Terezës, për lumturimin e 38 martirëve shqiptarë të periudhës së regjimit komunist dhe për vlerën e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, për vuajtjet e besimtarëve të të gjithë komuniteteve fetare nën regjimin komunist e për rolin e tyre sot.

Kryegjyshin, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj e falënderoi Sekretarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar për pritjen që iu rezervua dhe për audiencën  private që do të ketë nesër te Papa. Dede Baba Edmond foli për marrëdhëniet e mira ndërmjet komunitetit Bektashi e Kishës katolike në Shqipëri, për vlerën që ka përmasa shpirtërore në shoqërinë shqiptare dhe për dëshminë e bashkëjetesës paqësore ndërmjet komuniteteve fetare. Kryegjyshi, Haxhi Dede Baba Edmondi i dhuroi Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dy libra mbi misticizmin e islamit dhe një kalendar të komunitetit Bektashian. Së fundi, e ftoi Sekretarin e dikasterit të Vatikanit, Imzot Miguel Angel Ayuso Guixot për një vizitë në Shqipëri për t’u njohur nga afër me komunitetin Bektashian.

Nesër paradite, është në program audienca private te Papa Françesku. E kujtojmë se në raste të ndryshme përfaqësues të komunitetit Bektashi kanë marrë pjesë në ngjarjet e Selisë së Shenjtë. Ndër të tjera në Asizi në janar të vitit 1993 në Lutjen për Paqen në Ballkan; në ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës së Kalkutës më 19 tetor 2003; në Ditën e Lutjes për Paqen në Asizi 24 janar 2002; në Ditën e Lutjes për Paqen në Asizi 28 tetor 2011. E, më 21 shtator 2014, në Tiranë me rastin e Vizitës Apostolike në Shqipëri, kanë takuar Papën Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.