2016-05-10 14:57:00

Dita e miqësisë kopto-katolike: Papa i shkruan Tawadrosit II


“Katolikët dhe koptët mund të dëshmojnë së bashku vlera të rëndësishme si shenjtëria dhe dinjiteti i çdo jete njerëzore, shenjtëria e martesës dhe e jetës familjare, si edhe respekti për Gjithësinë e krijuar nga Zoti”. Kështu shkruan Papa Françesku, në Ditën e sotme të miqësisë kopto-katolike, në letrën për Patriarkun e Kishës kopto-ortodokse, Tawadros II.

Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizon hapat e bëra së bashku, në rrugën e pajtimit e të miqësisë, pas shekujsh me heshtje, keqkuptime e madje edhe armiqësi. Françesku kujton takimin e fundit me Tawadrosin në Romë, në maj të vitit 2013 dhe mikpritjen, që Patriarkati i Selisë së Shën Markut i rezervoi mbledhjes së 13-të të Komisionit ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Lindore ortodokse, zhvilluar në Kairo në janar-shkurt të këtij viti.

 “Më këtë frymë të re miqësie – shkruan Papa Françesku – Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë se lidhja që na bashkon ka lindur nga e njëjta thirrje dhe mision, marrë nga Ati Qiellor në Ditën e Pagëzimit”. Akoma presim çastin kur do të ulemi të gjithë së bashku në të njëjtën sofër eukaristike, thekson Ati i Shenjtë, por që tani, mund ta dëshmojmë bashkimin ndërmjet nesh. “Përpara sfidave të shumta bashkëkohore, koptë e katolikë – nënvizon Papa – janë të thirrur të japin përgjigje të përbashkëta, bazuar mbi Ungjill”, me vetëdijen se “ç’na bashkon është më e madhe se ç’na ndan”. Mendimi i Atit të Shenjtë shkon më pas ndër të krishterët e Egjiptit e të Lindjes së Mesme, ku të shumtë janë ata, që po provojnë fatkeqësi e tragjedi. Sidomos, Françesku përmend Irakun e Sirinë, ku të krishterët, por edhe bashkësitë e tjera fetare, sprovohen përditë nga gjendja e rënduar. Papa uron që bashkësia ndërkombëtare t’i përgjegjet me urti e me drejtësi kësaj dhune të pashoqe.








All the contents on this site are copyrighted ©.