2016-05-09 19:08:00

Kardinali Parolin në Lituani: të punohet për paqen e të vijohet misioni i Jezusit


Sot diplomacia e politika kanë nevojë për mëshirën, që i ndihmon t’i  kapërcejnë të gjitha situatat e mjerimit njerëzor. Ky, mesazhi i kardinalit Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Vilnius të Lituanisë. Dje Prelati i lartë u takua me studentët e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike të Universitetit të kryeqytetit lituan si dhe përfaqësues të tjerë të botës akademike, në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit e të Shën Gjonit Apostull. Pak më përpara vizitoi presidenten e Republikës, Dalia Grybauskaite si dhe Memorialin e viktimave të 31 janarit, që kujton masakrën e kryer nga trupat sovjetike në vitin 1991, pas shpalljes së pavarësisë lituane.

Nga Benedikti XV, i zgjedhur pak pas fillimit të Luftës I Botërore, tek Papa Françesku; nga shekulli i kaluar tek shekulli i ri, veprimtaria diplomatike e papëve në shërbim të paqes vijon të spikatë gjithnjë më shumë. E pikërisht rreth kësaj diplomacie të Selisë së Shenjtë në shërbim të paqes u përqendrua fjalimi i kardinalit Parolin, që ndodhet prej disa ditësh në Lituani, si legat papnor, me rastin e Kongresit Kombëtar të Mëshirës. Mbrëmë kardinali u nis për në Estoni e më 11 maj do të jetë në Letoni, etapa e fundit e shtegtimit  të tij në vendet baltike.

Të promovohet mirëkuptimi reciprok ndërmjet shteteve  ndërluftuese

Me rëndësi të dorës së parë, nismat e Papës për të promovuar mirëkuptimin reciprok ndërmjet shteteve e grupeve ndërluftuese. Diplomacia e Selisë së Shenjtë nuk është tjetër, veçse diplomacia e vetë Papës, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.  E Selia e Shenjtë merr pjesë në shumë organizata ndërkombëtare, që nga themelimi i tyre, duke u radhitur gjithnjë në vijën e parë të luftës për paqen e qëndrueshme, për respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtën për mbrojtjen e jetës, të drejtën për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, ligjin humanitar, mbrojtjen e ambientit, çarmatimin, kujdesin e duhur për emigrantët dhe refugjatët, zhvillimin gjithanshëm njerëzor e kështu me radhë. Kontributi i Selisë së Shenjtë është moral e shpirtëror. Mbrojtja e paqes nuk është e huaj për misionin e Kishës. Përkundrazi, është pjesë themelore përbërëse e detyrës së saj për vijimin e misionit të Krishtit.

Françesku punon për paqen  afatgjatë

Për Papën, asnjë praktikë fetare nuk mund ta lërë mënjanë promovimin e paqes. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes dhe Përmbledhjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës, për të nënvizuar se paqja është dhuratë e Zotit, por edhe vepër e njeriut. E Jubileu i Mëshirë ka shumë për të na thënë në këtë drejtim, duke nisur nga shtegtimi i Papës në Bangui, në Republikën Qendrafrikane, ku hapi të parën Portë Shenjte, e më pas, në Sarajevë. Papa Françesku e këshillon politikën dhe diplomacinë të punojnë më shumë për procese afatgjata, që i hapin rrugën ndërtimit, sesa për rezultate të menjëhershme. Duhet luftuar kundër dorëzimit para vështirësive dhe interesave vetjake,  duke kultivuar kulturën e solidaritetit. Indiferencës njerëzore Zoti i kundërvë mëshirën e tij, nënvizoi kardinali Parolin, e Kisha përpiqet të jetë kudo ndërmjetësuese e mëshirës.

Jubileu i Mëshirës, udhë për paqen

Papa shpreson se Jubileu i Mëshirës do të sjellë rezultate konkrete. E, në këtë drejtim, ka shumë rëndësi përpjekja për t’iu kundërvënë indiferencës, duke u kujdesuar për anëtarët më të ligshtë të shoqërisë, të burgosurit, emigrantët, të papunët, të sëmurët. Një përpjekje e bazuar mbi mëshirën, siç është kjo e Papës Françesku, e promovuar aktivisht nga Selia e Shenjtë, ka shumë për t’i ofruar diplomacisë ndërkombëtare në vijimin e rrugës për sigurimin e  paqes, theksoi kardinali Parolin. E shtegtimet e Françeskut në vendet, ku njerëzit vuajnë, me gjestet e tij, me fjalët e tij, janë në vetvete mesazh i fuqishëm i mëshirës e kontribut i rëndësishëm për paqen.








All the contents on this site are copyrighted ©.