2016-05-09 17:24:00

Françesku-Kirilli: ndoshta në Bari, takimi i dytë ?


“Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, falënderon kryebashkiakun e qytet italian, Barit, Antonio Decaro, lidhur me gatishmërinë për të mikpritur një takim të mundshëm të Papës Françesku me Patrikun Kirill”. Këtë lexojmë në letrën, me të cilën Selia e Shenjtë i përgjigjet propozimit të qytetarit të parë të kryqendrës pulieze për ta mikpritur takimin e dytë të Papës me Patrikun Kirill, në qytetin,  seli e Kishës Ruse e rojtar i relikeve të Shën Nikollit, ipeshkëv, Shenjtit më të nderuar nga rusët. Përgjigjja arriti pak ditë më parë, por u bë e njohur vetëm në ditën e dytë të festimeve, organizuar për festën e Shën Nikollit, Pajtor i Barit. Festa njihet me emrin Shën Nikolli i verës, ndërsa kremtimi kryesor bie gjithnjë në të njëjtën datë: 6 dhjetor.

Kryebashkiaku i Barit Decaro, pas takimit historik të Françeskut me Kirillin, i pati dërguar kardinalit Parolin një letër, përmes së cilës, duke nënvizuar dëshirën për ta parë të realizuar propozimin e tij, vinte në dukje rëndësinë e Barit në procesin ekumenik të takimit ndërmjet kishave të ndryshme, posaçërisht atyre të Lindjes, si dhe vendet e rëndësishme kushtuar Shën Nikolli. Ndërmjet tyre, Bazilika Papnore dhe Kisha ruse, në Bari,ku mblidhen çdo vit mijëra shtegtarë dhe besimtarë, për të nderuar reliket e Ipeshkvit të Mirës, në kriptën e Bazilikës. Edhe rektori i Kishës Ruse, atë Andrey Boytsow, me këtë rast, deklaroi se është i sigurt që Patriku do të dëshironte ta takonte Papën Françesku në Bari. E kjo, edhe pse Patriku Kirill e do shumë këtë qytet, ku ka qenë disa herë.

Madje edhe takimi i parë i Françeskut me Kirillin - saktësoi Boytsow -  duhet të ishte mbajtur në Bari,

Në letrën e tij, kardinali Parolin  e falënderon Decaro-n për ndenjat me të cilat e ndjek procesin ekumenik, në një qytet të rëndësishëm për zhvillimin  e këtyre marrëdhënieve, posaçërisht me Kishat e Lindjes, falë edhe  pranisë të relikeve të Shën Nikollit.








All the contents on this site are copyrighted ©.