

Dhjetra mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan, për të marrë pjesë në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në Solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell. Françesku pohoi se çdo i krishterë ka mundësi ta jetojë e ta dëshmojë fenë kudo, sepse nga të gjitha qytetet e botës mund të lartohen sytë plot shpresë drejt qiellit, ku banon Zoti i bërë njeri. E, në ditën që u kushtohet, Papa i përshëndeti përzemërsisht të gjitha nënat e botës!
Në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, kundrohet misteri i Jezusit, që del nga hapësira tokësore, për të hyrë në përsosurinë e mbretërisë së Zotit, duke marrë me vete natyrën tonë njerëzore. Dishepujt - vërejti Papa - nuk trishtohen nga mendimi se Jezusi s' është më fizikisht mes tyre, por kthehen me gëzim në Jeruzalem, në qytetin që nuk e kishte pranuar Mësuesin:
“Që nga kjo ditë për Apostujt e për çdo dishepull të Krishtit, u bë e mundur të banojë në Jeruzalem e në të gjitha qytetet e botës, edhe në më të tronditurat nga padrejtësitë e dhuna, sepse mbi çdo qytet është i njëjti qiell e çdo banor i tokës mund t’i lartojë sytë plot shpresë. Jezusi, Zoti, është njeri i vërtetë e me trupin e tij njerëzor është në qiell! Kjo, shpresa jonë, nëse shikojmë qiellin. Në këtë qiell banon Ai, Zoti, që u dëftua aq i afërt, sa të marrë fytyrë njerëzore, Jezusi i Nazaretit. Ai mbetet gjithnjë Zoti-me-ne - ta kujtojmë këtë: Emmanueli, Zoti-me-ne - e nuk na lë kurrë vetëm”.
Ta dëshmojmë Krishtin e ngjallur në jetën e përditshme
Dishepujt munden tani t’ua kumtojnë të gjithëve jetën e re, që vjen nga i Kryqëzuari i Ngjallur:
“Kjo është dëshmia - jo vetëm me fjalë, por edhe me jetën tonë të përditshme - dëshmi që çdo të diel duhet të dalë nga Kishat tona, për të hyrë gjatë javës ndër shtëpi, në zyra, në shkolla, në vendet e takimit e të dëfrimit, në spitale, në burgje, në strehët e pleqve, në gjirin e turmave të emigrantëve, në periferitë e qyteteve…”.
Shpirti Shenjt është krijues i dëshmisë së krishterë
Eshtë dëshmi, që bëhet e mundur përmes Shpirtit Shenjt:
“Këtu është sekreti i këtij misioni: prania mes nesh e Zotit të ngjallur, që me dhuratën e Shpirtit Shenjt vijon të na e hapë mendjen tonë e zemrën tonë, për ta kumtuar dashurinë e mëshirën e Tij edhe në mjediset më të panënshtrueshme të qyteteve tona. Është Shpirti Shenjt, krijuesi i vërtetë i dëshmisë shumëformëshe që japin në botë Kisha e çdo i pagëzuar. Prandaj nuk duhet ta harrojmë kurrë gjunjëzimin në lutje për ta lavdëruar Zotin e për t’i kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt”.
Komunikatorët mund të hedhin ura
Papa u bashkua shpirtërisht me besimtarët e mbledhur në Shenjtëroren e Pompeit, për Lutjen tradicionale drejtuar Zojës Rruzare. Më pas kujtoi se sot kremtohet edhe Dita e 50-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore, themeluar sipas dëshirës, shprehur në Koncilin II të Vatikanit, me vetëdijen se komunikimet kanë rëndësi vendimtare, sepse mund të hedhin ura ndërmjet njerëzve, familjeve, grupeve shoqërore, popujve. E kjo, si në mjediset fizike, ashtu edhe në ato dixhitale (Mesazhi 2016):
“U drejtoj të gjithë veprimtarëve të komunikimit një përshëndetje të përzemërt, duke uruar që mënyra jonë e komunikimit në Kishë ta ketë gjithnjë më të qartë stilin ungjillor, stilin që bashkon në një, të vërtetën e mëshirën”.
Urime nënave të mbarë botës
Së fundi Papa kujtoi se sot në shumë vende kremtohet festa e nënës:
“Kujtojmë me mirënjohje e dashuri të gjitha nënat, këto që janë sot këtu, në Shesh, e nënat tona, ende mes nesh, e edhe ato, që shkuan në qiell, duke ia besuar Marisë, Nënës së Jezusit. E, së bashku me të gjitha nënat, të themi një Falemi Mari…”.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |