2016-05-08 09:00:00

Papa: BE-ja të mos zgjedhë mure e armë, por dialog


Të premten, Papa Françesku mori Çmimin “Karli i Madh”, i cili u jepet personaliteteve, që kanë kontribuar në integrimin dhe në bashkimin e Evropës. Qe rasti për Atin e Shenjtë për të mbajtur një fjalim të rëndësishëm, në të cilin shtjelloi idenë e tij për Evropën, apo më mirë, “ëndrrën” e tij për këtë kontinent e për një humanizëm të ri evropian. Jo rastësisht, Ati i Shenjtë zgjodhi formulën e Martin Luther King, “I have a dream”, për të përvijuar objektivat e denja e të detyrueshme për Bashkimin Evropian.

“Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut”, tha Papa para kreut të Parlamentit Evropian, Martin Schulz, atij të Këshillit, Donald Tusk dhe liderit të Komisionit Evropian, Jean Claud Juncker, përveç autoriteteve të tjera evropiane.

Para një Evrope gjyshe, Ati i Shenjtë ngriti zërin: “Ç’të gjeti kështu, Evropë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Evropë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Evropë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?” Këto pyetjet e Papës, që këshilloi të risohet ideja e Evropës, në mënyrë që ajo të bëhet e aftë “për të nxjerrë në dritë një humanizëm të ri, bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar”.

Natyrisht, nuk është pa kuptim, që ky çmim simbolik për Evropën, lindur pas vjet para përfundimit të Luftës II Botërore, iu dha për herë të parë, në vitin 1989, një personaliteti fetar. Atë vit, pak para rënies së Murit të Berlinit, u nderuar me këtë çmim Roger Shutz, themeluesi dhe eprori i Bashkësisë së Taizé-së, i cili, për 30 vjet me radhë, pasi endur fije ekumenike pajtimi e paqeje, duke e kapërcyer në heshtje Perden e Hekurt.

E në vitin 2004, në formë të jashtëzakonshme, çmimi iu dha Papës Vojtila, gati në përfundim të papnisë. Homazh për veprimtarinë e tij në mbështetje të integrimit evropian, për rrëzimin e mureve e për ngritjen në piedestal të dialogut.

Të premten, etërit themelues të Evropës, Robert Schuman, Alcide De Gasperi dhe Konrad Adenauer, ishin aty, me Papën Françesku, para liderëve evropianë, për t’u kujtuar se duhet guxim për të gjetur zgjidhje shumëpalëshe për problemet e përbashkëta, për ta kthyer sërish Evropën në nënë, që lind procese tw reja e pozitive. 








All the contents on this site are copyrighted ©.